31.8 C
Skopje
E premte, 28 Gusht, 2026

Iseni: Interesimi i ulët i shqiptarëve për shkollën e policisë, nga 29 aplikantë vetëm 13 u pranuan

Sqarim i argumentuar për opinionin publik

Në konkursin për shkollën e mesme të policisë kanë aplikuar gjithsej 509 kandidatë, prej të cilëve 29 shqiptarë – 5,7%. Përse ky interesim kaq i ulët? Është çështje që duhet trajtuar por jo edhe befasuar sepse është viti i parë që hapet kjo shkollë, dhe ka faktor të tjerë për të cilat ne do të punojmë që vitin që vjen interesimi të jetë shumë më i lartë. Siguria nesër varet nga gjeneratat e sotshme.

Në përzgjedhjen administrative janë eliminuar 106 kandidatë, ndërsa 403 kanë vazhduar më tej. Prej të eliminuarve, 12 kanë qenë shqiptarë, të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret për shkak të suksesit në vitet paraprake shkollore. Kritere që vlejnë për secilën shkollë të mesme brenda vendit, ngjashëm edhe për atë të policisë.

Tutje, 2 kandidatë shqiptarë nuk e kanë kaluar testin e përgjithshëm, ndërsa 2 të tjerë nuk janë paraqitur fare në testim, që i bie se nga numri total i nxënësve shqiptarë që kanë aplikuar 29, numri ka rënë 25. E në fund janë pranuar 13 kandidatë shqiptarë.

Pra, edhe njëherë, 29 kanë aplikuar, 2 fare nuk janë paraqitur tutje, 2 të tjerë nuk e kanë kaluar testin, dhe 12 të tjerë janë eliminuar përshkak të suksesit nga vitet paraprake të shkollimit.

Kjo është e tëra, ne vazhdojmë me dinjitet dhe profesionalizëm të përfaqësojmë të gjithë pa hile e pa propagandë. Ka ikur koha e nepotizmit, punësimit me çmimore, e avancimeve me kushtëzime.