14.3 C
Skopje
E shtunë, 13 Qershor, 2026
Home Lajme Izet Mexhiti: Çarshia e Vjetër do të bëhet qendra e zhvillimit kulturor,...

Izet Mexhiti: Çarshia e Vjetër do të bëhet qendra e zhvillimit kulturor, ekonomik dhe turistik të Shkupit

0
141

Kandidati i VLEN-it për Çairin, Izet Mexhiti, ka prezantuar sot shtyllën e tretë të programit qeverisës, e cila fokusohet në rilindjen dhe zhvillimin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, një projekt madhor, i financuar dhe i realizueshëm që synon ta kthejë këtë hapësirë historike në qendër të jetës kulturore, ekonomike dhe turistike të kryeqytetit, informon POPULLI.mk

Sipas Mexhitit, investimet kapitale janë tashmë të sigurura, duke përfshirë restaurimin e rrugëve tradicionale si “Saraçka”, “Papuxhiska”, “Petar Mihov”, “Samarxhiska” dhe “Kovaçka”, si dhe rinovimin e fasadave të dyqaneve, gjithmonë duke ruajtur pamjen autentike të Çarshisë.

“Ky është një projekt me shpirt dhe identitet, që e rikthen Çarshinë në vendin që i takon – zemra e kulturës dhe ekonomisë së Shkupit,” deklaroi Mexhiti.

Një pjesë e rëndësishme e vizionit është edhe projekti “Çarshia Digjitale”, që mundëson integrimin e teknologjisë moderne në promovimin e trashëgimisë kulturore. Vizitorët do të kenë tabela interaktive, Wi-Fi falas dhe një aplikacion informues, që ofron të dhëna historike dhe orientim në kohë reale.

Në përputhje me standardet evropiane, projekti përfshin edhe ndërtimin e tualeteve publike moderne, të pastra dhe të qasshme për të gjithë, ndërsa paralelisht do të restaurohen objektet me vlera të veçanta kulturore dhe arkitekturore si: Kurshumli An, Kapan An, Suli Hani, Çifte Hamam, Hamami i Daut Pashës, Shengjyl Hamami dhe Bezisteni.

Kurora e këtij projekti do të jetë ndërtimi i pjesës së tretë të Sheshit “Skënderbeu” dhe parkingut nëntokësor me dy kate, me një investim prej 25 milionë eurosh, tashmë të siguruara nga Qeveria.

“Ky investim do të përmirësojë funksionalitetin urban, do të lehtësojë qasjen dhe do të përmbyllë fazën e parë të rilindjes së plotë të Çarshisë së Vjetër,” theksoi zëvendëskryeministri.

Në përmbyllje, Mexhiti nënvizoi se bëhet fjalë për një plan të detajuar, me buxhet të garantuar dhe afate të qarta, që do ta kthejë Çarshinë e Vjetër në një pol të ri zhvillimi dhe në një simbol të Çairit bashkëkohor.