Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në bashkëpunim me të rinjtë e komunës, ka prezantuar sot platformën digjitale “Rinia për Çairin”, një hapësirë moderne dhe interaktive që synon të përfshijë qytetarët dhe veçanërisht rininë në zhvillimin e komunës, informon POPULLI.mk
Në fjalën e tij, Mexhiti theksoi se nuk është rastësi që kjo platformë u prezantua pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. “Ne besojmë fuqishëm se e tashmja dhe e ardhmja e Çairit fillojnë me rininë tonë. Ata janë forca më e madhe e ndryshimit dhe partnerët tanë kryesorë në procesin e zhvillimit”, tha ai.
Platforma është e hapur për të gjithë qytetarët dhe, sipas Mexhitit, çdo ide që do të paraqitet do të shqyrtohet me seriozitet. Veç tjerash, tashmë janë pranuar disa propozime me vlerë, përfshirë edhe iniciativën për krijimin e një Call Center-i për qytetarët, që do të mundësojë komunikim më të shpejtë, më transparent dhe më efikas me komunën.
Po sot, në Çarshi nisi edhe java kulturore “Doku n’Çarshi”, që do të zgjasë shtatë ditë me aktivitete artistike e kulturore, ku do të marrin pjesë artistë vendorë. Ky aktivitet synon promovimin e trashëgimisë kulturore dhe pasurimin e jetës kulturore të qytetarëve.
Mexhiti ftoi qytetarët që të bëhen pjesë e këtyre ngjarjeve. “Të gjithë së bashku le të festojmë vlerat dhe identitetin tonë”, tha ai. / © POPULLI.mk