34.6 C
Skopje
E hënë, 3 Gusht, 2026

Izet Mexhiti viziton klubin e hendbollit për femra WHC Çair

Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, sot vizitoi klubin e hendbollit për femra WHC Çair, një ndër skuadrat më të rëndësishme në vend dhe pjesëmarrëse në gara ndërkombëtare, informon POPULLI.mk

Në këtë takim, Mexhiti vlerësoi punën e kryetares Semija Islami dhe trajnerit Basri Latifi, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm kanë ndërtuar një ekip të suksesshëm që e nderon komunën e Çairit.

Ai theksoi se rezultatet e klubit nuk kufizohen vetëm në fushën e lojës, por edhe në zhvillimin e Akademisë së hendbollit, ku mbi 120 fëmijë stërviten dhe përgatiten për t’u bërë sportistet e ardhshme.

“WHC Çair është dëshmi se Çairi ka potencial, energji dhe rini që meriton mbështetje. Angazhimi ynë është i qartë: të krijojmë kushte më të mira për sportin, të investojmë në klubet dhe akademitë vendore, dhe të forcojmë rolin e rinisë në jetën e komunës,” u shpreh Mexhiti.

Ai falënderoi klubin për punën e jashtëzakonshme dhe kontributin në promovimin e sportit, duke theksuar se suksesi i tyre është një arsye krenarie për gjithë Çairin. / © POPULLI.mk