Të paktën 40 palestinezë janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, kanë njoftuar zyrtarët lokalë shëndetësorë të mërkurën, përderisa ndërmjetësit ndërkombëtarë janë në garë me kohën për të finalizuar marrëveshjen e armëpushimit, ka raportuar AP.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka pasur një takim të dytë me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë të martën në mbrëmje, teksa Trumpi ka këmbëngulur që marrëveshja e armëpushimit të arrihet sa më shpejtë.
Izraeli dhe grupi militant palestinez, Hamas, janë duke e konsideruar propozimin e ri për armëpushim të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të së cilit do të ndërpriten luftimet, lirohen pengjet e mbajtura dhe do të lejohet futja e një numri më të madh të ndihmave humanitare në drejtim të Gazës.
Zyrtarët shëndetësorë në Spitalin Nasser, që ndodhet në qytetin jugor të Khan Younis, kanë bërë të ditur se në mesin e të vdekurve ishin 17 gra dhe 10 fëmijë. Sipas tyre, vetëm nga njëri sulm kanë mbetur të vrarë 10 anëtarë të së njëjtës familje, përfshirë tre fëmijë.
Në Ushtrinë izraelite nuk kanë komentuar në lidhje me sulmet specifike, porse lajmëruan se kanë goditur rreth 100 objektiva përgjatë tërë Rripit të Gazës në 24-orët e fundit, përfshirë militantë, raketahedhës, tunele, ndërtesa, si dhe magazina të armatimit.