Jo çdo mosarritje e një marrëveshjeje është humbje, edhe kjo e ka fitoren e vet në tryezën e bisedimeve. Si?!
Gjatë bisedimeve të sotme në Bruksel mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare në lidhje me targat dhe normalizimit e marrëdhënieve fqinjësore, edhepse gjatë kësaj bisede kanë prezantuar ndërmjetësuesit e BE-së, pêrfaqësuesi i lartë diplomatik, Josep Borell dhe ai për bisedimet Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajcak, të cilët propozuan për fleksibilitet të qeverisë kosovare ndaj ilegalizimit të targave të veturave serbe.
Në këtë rast, kryeministri Kurti e ka parë të papranueshme një propozim të tillë për faktin se nuk duhet kërkuar fleksibilitet ndaj ilegalitetit dhe ajo që duhet ndërmarur hapat e përmirësimit dhe zbatimit të ligjit, është Serbia. Kosova është në të drejtën e saj kushtetuese dhe ligjore dhe kjo konsiderohet fitore pasiqë nuk ka tolerime në zbatimin e ligjit dhe shfaqjen e rezultateve të një shteti ligjor dhe sovran. Pavarësisht kërkesave të BE-së, interesi i kryeministrit Kurti është që Serbia të merr seriozisht shtetësinë dhe ligjet e Kosovës. Vuçiq duhet që në të ardhmen të mos e nëpërkëmbë shtetësinë e Kosovës dhe po ashtu duhet t’i heq targat ilegale nga qarkullimi në Kosovë.
Sa i përket neglizhencës dhe moslehtësimit të duhur diplomatik të BE-së në këtë konflikt të stërzgjatur, i ka bërë të dëshpëruar jo vetëm qeveritarët e Kosovës, por besoj se gjithë qytetarët e vendit, ashtu siç ndjehet shumica e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Kjo, për faktin se BE-ja po anashkon vazhdimisht çështjen e zgjerimit për rajonin dhe të drejtat tjera që ju përkasin këtyre shteteve (siç është edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën).
A i bie kjo se mosmarrëveshjet e tilla në rajon të orientohen për zgjidhje paqësore kah diplomacia e SHBA-së?!
Mendoj që pa një rol aktiv dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bisedimet do mbesin të ngurta dhe vazhdimisht të stërzgjatura, e mos ardhtë deri te tensionimi dhe konflikti i armatosur, sikur para dy dekadave të errëta që përjetuan populli shqiptar. Kështu që, duket se ka ardhur koha që diplomacia amerikane të merr një rol më të madh në këtë proces, ashtu siç kanë marrë pjesë si paqebërës gjatë kohës së luftës.