1.8 C
Skopje
E hënë, 22 Dhjetor, 2025

Kadare urohet si urë e kulturës shqiptare me botën në ditën e lindjes

Shkrimtari shqiptar me nam botëror, Ismail Kadare, është uruar si urë ndërlidhëse e kulturës shqiptare me botën në ditëlindjen e tij të 88-të. I lindur në Gjirokastër më 28 janar të vitit 1936, Ismail Kadare të dielën ka mbushur 88 vjeç.

Sipas biografisë së shkrimtarit, në vendlindje qëndroi deri në përfundimin e arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e tij të parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Mandej, u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë. Në harkun e viteve 1958-1960, Kadare thelloi studimet në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitin 1960, i detyruar t’i braktiste studimet për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik, u kthye në Shqipëri dhe nisi angazhimin në gazetari. Në vitin 1963, botoi romanin e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë edhe përtej vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve që vërehet në këtë vepër, do të ishte kryefjalë edhe e romanit “Kështjella”, botuar në vitin 1970. Në këtë rrjedhë, autori u frymëzua edhe për shkrimin e romanit “Krushqit janë të ngrirë”, i cili flet mbi demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Një tjetër roman i vlerësuar ishte “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërprera, romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, Kadare u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, përcolli urimet për shkrimtarin, teksa e quajti atë edhe një urë të fortë dhe të bukur me perëndimin.

“Jetë të gjatë dhe shëndet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare! Universi i tij i mrekullueshëm letrar i përcolli Shqipërinë Perëndimit, nëpërmjet Ilirisë, legjendave ballkanike, Homerit në epopetë shqipe dhe Eskilit në dramat e kohëve moderne. Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me Perëndimin”, ka shkruar Begaj në rrjetet sociale.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përcolli mesazhin e saj të urimit për Ismail Kadarenë. Nikolla e cilësoi atë si emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.

“Sot është ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Përgjatë më shumë se shtatë dekadave, Kadare ka krijuar një thesar letrar, kulturor e kombëtar, që e ngjiti letërsinë shqiptare në Olimpin e letërsisë botërore. Rrallë gjendet në letërsi një shembull tjetër kur në veprën e një shkrimtari gjenden të gjitha epokat, nga kohërat e mjegullta të mitologjisë, në stinën më të fundit të kombit të vet dhe planetit”, ka shkruar Nikolla.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, uroi sot Kadarenë, duke e cilësuar atë si një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë.

“Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Kontributi i tij është një pasqyrë e thellësisë së kulturës dhe historisë shqiptare, duke krijuar vepra që sfidojnë kohën dhe duke ofruar një perspektivë mbresëlënëse. Gëzuar ditëlindjen mjeshtër!”, ka shkruar ai.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, uroi Kadarenë në 88-vjetorin e lindjes. Manastirliu theksoi se Kadareja e ngriti letërsinë shqiptare në majën e letërsisë botërore.

“Gëzuar datëlindjen Ismail Kadare, shkrimtari ynë i madh që pasuroi dhe lartësoi gjuhën tonë shqipe dhe e ngriti letërsinë shqiptare në majën e letërsisë botërore”, ka shkruar Manastirliu.

Kryeministri Edi Rama ka postuar një video të shkurtër duke i uruar Kadaresë ditëlindjen.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare “Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” e të tjera, si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass e Milan Kundera.

Burimi / KOHA.net

Të ngjajshme

Të fundit