E kanë vendosur në listën e prioriteteve gjatë vizitës së tyre në Shkup, janë të impresionuar nga pamja e Kalasë, u pëlqen pozicioni dhe fakti që nga të gjitha anët mund të shohin kryeqytetin. Por turistët e huaj nuk janë aspak të kënaqur me mirëmbajtjen brenda hapësirave të Kalasë së Shkupit. Thonë se ka shumë mbeturina dhe është e mbuluar nga bari, ndërsa kritikojnë përse nuk ka një ciceron apo të paktën broshura prej ku mund të njoftohen me historinë e Kalasë.
“Kjo është vizita ime e parë në Shkup, në përgjithësi në Maqedoni dhe një prej gjërave të para që po i bëj këtu është vizita e kësaj kalaje. Sigurisht jam i impresionuar, duket shumë objekt i vjetër, një prej pamjeve kryesore në Shkup. Ajo që nuk më pëlqen është se përfundimisht nevojitet më shumë kujdes sepse pash shumë mbeturina, sikur shumë vite me radhë askush nuk është kujdesur për këtë, ndërkohë që është një vend historik për të cilën nevojitet kujdes… Poashtu nevojiten të paktën broshura, pasi unë nuk kam informacione për këtë kala, nuk e di kush e ka ndërtuar në cilin shekull apo cilin vit”, tha një turist.“Isha brenda shikova përreth, nuk është lehtë për ecje”, shtoi një tjetër turist.