Pallçisht, Komuna e Bogovinës – Problemi i kahershëm i furnizimit me ujë të pijshëm ishte në fokus të takimit të zhvilluar mes zëvendësministres së Transportit dhe Lidhjes, Kaltrina Z. Shaqiri, zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti dhe deputetit të zonës, Adnan Azizi, me banorët e fshatit Pallçishte, informon POPULLI.mk
Gjatë bashkëbisedimit me komunitetin lokal, u theksua se furnizimi i qëndrueshëm me ujë të pijshëm është një nevojë emergjente dhe prioritet i padiskutueshëm për institucionet.
“Ky është një problem që nuk mund të mbetet më pa zgjidhje. Kemi caktuar një takim të veçantë me përfaqësuesit e bashkësisë lokale në fund të javës, për të shqyrtuar të gjitha alternativat e mundshme për një zgjidhje të qëndrueshme,” tha zëvendësministrja Shaqiri.
Në vijim, ajo theksoi se Qeveria po fuqizon komunat përmes dy thirrjeve të posaçme për financimin e projekteve infrastrukturore, duke i krijuar vetëqeverisjeve lokale mundësi konkrete për të adresuar nevojat urgjente të qytetarëve.
“Mbështetja për nevojat bazë të qytetarëve mbetet në qendër të angazhimit tonë institucional,” shtoi Shaqiri.
Përfaqësuesit institucionalë u zotuan se do të ndjekin nga afër zhvillimet dhe do të punojnë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin për të siguruar një zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë. / © POPULLI.mk




