6.8 C
Skopje
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Kanceri i gjirit / Tetori muaji i ndërgjegjësimit

Muaji tetor që nga viti 1985 është shpallur muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit me simbolikën e ngjyrës rozë, me çka çdo vit në këtë periudhë organizohen ngjarje të ndryshme sensibilizuese. Në Maqedoninë e Veriut me këtë sëmundje përballen rreth 1.200 gra në vit.

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri.

Faktorët kryesorë të rrezikut që mund ti numërojmë janë: mosha, gjinia, predispozita gjenetike, obeziteti, duhanpirja, menarha e hershme, menopauza e vonshme, jeta pasive fizike, stresi dhe të tjera.

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe te burrat por është shumë i rrallë.

Ekspertët theksojnë se zbulimi i hershëm i kësaj sëmundjeje është shumë i rëndësishëm për procesin dhe trajtimin e mëtejshëm të saj, pasi i njëjti ndihmon në parandalimin dhe kompleksimin e gjendjes. Kështu, një nga thirrjet më të shpeshta janë kontrollet e rregullta te mjekët përmes metodave të zbulimit të kësaj sëmundjeje.

Metodat më të shpeshta të zbulimit të kësaj sëmundjeje janë përmes ehos, mamografisë, biopsisë dhe të tjera.

Trajtimi kirurgjik i kancerit të gjirit është i paevitueshëm, nuk mund t’i iket, është masa më e sigurt për të trajtuar kancerin e gjirit dhe për të parandaluar zgjerimin e të njëjtit në bashkëpunim me terapinë onkologjike.

Sipas të dhënave të para dy viteve, në Maqedoninë e Veriut në ditë diagnostikohen tre deri në katër gra me kancer të gjirit. Komunat në të cilat kjo lloj sëmundje vitet e fundit është më e pranishme janë Vinica, Koçani dhe Shën Nikolla, ndërsa pacientja më e re e diagnostikuar me kancer në gji është e moshës 17 vjeçare. /Portalb.mk

Të ngjajshme

Të fundit