16.8 C
Skopje
E enjte, 28 Maj, 2026

Kasami: Në dy vjet po investojmë 300 milionë euro në projekte lokale, koha e premtimeve boshe ka mbaruar

- Advertisement -

Kryetari i komunës së Tetovës dhe një nga figurat kryesore të koalicionit VLEN, Bilall Kasami, deklaroi sot se për herë të parë pas dekadash po investohen fonde të mëdha për zhvillimin e komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut, informon POPULLI.mk

“Sot po ju drejtohem jo vetëm si kryetar i Tetovës, por si një nga liderët e VLEN, një forcë politike që po ua kthen shtetin të gjithëve, jo vetëm të privilegjuarve”, tha Kasami.

Ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit janë investuar rreth 300 milionë euro në projekte lokale, shifër që sipas tij nuk është arritur nga asnjë qeveri më parë.

“Komunat shqiptare në të gjithë Maqedoninë Perëndimore dhe në Shkup, të lëna në margjina për dekada, sot po marrin mbi 30% të shumës totale. Padrejtësia historike ndaj shqiptarëve po merr fund,” deklaroi ai.

Sipas Kasamit, vetëm dje qeveria miratoi 828 projekte me vlerë totale prej 225 milionë euro, ndërsa vitin e kaluar u ndanë 288 projekte me vlerë mbi 73 milionë euro.

Projektet përfshijnë ndërtimin e shkollave, kopshteve të fëmijëve, pishinave, rrugëve të reja, ujësjellësve, kanalizimeve, teatrove dhe fushave sportive. Ai theksoi se investimet po kryhen në të gjitha komunat pa dallime politike.

“Në fjalorin tonë nuk ekziston ndasia politike. Po investojmë kudo, sepse nuk kemi qytetarë të klasit të parë dhe të dytë. Qëllimi ynë është i përbashkët dhe këtë do ta arrijmë për të gjithë,” u shpreh Kasami.

Ai tha se programi gjeneron edhe ekonomi lokale, vende të reja pune, rritje të kërkesës për kompanitë ndërtimore dhe të ardhura për bizneset që furnizojnë kantieret e ndërtimit.

“Kanalizimet dhe ujësjellësit që po ndërtojmë sot, u planifikuan nga të tjerët në shekullin e kaluar. Rrugët dhe bulevardet u premtuan dekada më parë. Koha për fjalë boshe ka ikur,” shtoi ai.

Në fund të fjalimit, Kasami theksoi se qeveria VLEN mbetet garantuesi i përmbushjes së marrëveshjes së re shoqërore me qytetarët.

“Për ne, rruga drejt standardeve evropiane nuk kalon përmes altoparlantëve, por përmes eskavatorëve, asfaltit dhe ujit të pastër në çdo shtëpi. Koha e premtimeve boshe ka mbaruar. Koha për rezultate konkrete ka filluar,” përfundoi ai. / © POPULLI.mk

- Advertisement -

Të ngjajshme

Të fundit