35.8 C
Skopje
E diel, 23 Gusht, 2026

Kasami: Për tre vite, kemi ulur borxhin e Komunës së Tetovës për 9 milionë euro

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur se gjatë tre viteve të fundit, borxhi i komunës është ulur për rreth 9 milionë euro, informon POPULLI.mk

Përmes një statusi në Facebook, ai theksoi se administrata e tij nuk është fshehur pas justifikimeve, por është përballur me realitetin dhe ka arritur të zvogëlojë borxhet e komunës, përfshirë institucionet e saj si çerdhet, shkollat dhe ndërmarrjet publike.

Kasami vlerësoi se ky rezultat është arritur falë përkushtimit dhe transparencës, duke treguar se kur ka vullnet dhe përgjegjësi, edhe sfidat më të mëdha mund të tejkalohen. Ai siguroi qytetarët se Tetova nuk do të mbetet peng i borxheve të së kaluarës, por do të ecë drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme.

“Krahas uljes së borxhit, ne nuk hoqëm dorë nga investimet. Nuk pranuam që zhvillimi i qytetit të mbetej peng i krizës financiare. Ndërtuam, rinovuam dhe modernizuam – nga shkollat ku edukohen fëmijët tanë, te çerdhet ku rriten brezat e ardhshëm,” deklaroi Kasami.

Sipas tij, puna për zhvillimin e Tetovës nuk do të ndalet, ndërsa qyteti do të vazhdojë të jetë një model i qeverisjes me përgjegjësi dhe dinjitet. “Në një kohë kur të tjerët mbajnë fjalime, ne kemi zgjedhur të mbajmë premtime,” përfundoi ai. / © POPULLI.mk