13.8 C
Skopje
E mërkurë, 13 Maj, 2026

Këshilli i Prokurorëve në pritje të sqarimeve për komunikimin e pretenduar mes qeverisë dhe prokurorisë

Këshilli i Prokurorëve Publikë do të kërkojë shpjegim nga kryeprokurori Nenad Saveski, pasi kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se kishte folur me Saveskin për një rast specifik – furnizimin me mazut për TC Negotinë, dhe pas vendimit të Prokurorisë Publike NKOK për të ndaluar hetimin, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit, Bashkim Besimi, tha në një deklaratë për “360 Gradë” se ata mësuan për këtë bisedë përmes raportimeve të mediave. Ai shtoi se situata po monitorohet nga afër dhe se do të flasë me Saveskin para se të vendosë për një seancë të mundshme ose hapa të tjerë.

“Do të duhet të flasim me prokurorin Saveski për të rrumbullakësuar gjërat. Si Këshill, ne nuk kemi autorizim për të ndërhyrë në raste, por po i ndjekim deklaratat”, tha Besimi.

Prokuroria Publike deri më tani nuk është përgjigjur pyetjeve gazetareske në lidhje me konfirmimin se prokurori Nenad Saveski ka folur me kryeministrin në telefon dhe si e interpreton ai atë bisedë.

Mickoski tha sot se lidhur me vendimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), foli dje me prokurorin Nenad Saveski, nga i cili u informua se nuk ishte në dijeni të këtij vendimi të PTHP NKOK të kryesuar nga Islam Abazi.

Mickoski supozon se pas një ankese nga EMV, çështja do të rishikohet dhe do të kthehet për rianalizë.

“Ai më informoi se nuk ishte i informuar për këtë vendim të Prokurorisë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe supozoj se pas ankesës së paraqitur nga EMV, çështja do të rishikohet dhe do të kthehet për rianalizë. Ne kemi komentuar për Prokurorinë Publike (PNKOK) të kryesuar nga Islam Abazi dhe nuk kam asgjë më shumë për të thënë, publiku e di se çfarë lloj prokurori është ky”, tha Mickoski.

Përndryshe, pas zgjedhjes së Saveskit si kryeprokuror, Mickoski tha se pritjet prej tij janë të larta në kuptimin që ata kanë një ndjesi, dhe në një farë mase informacion, se një pjesë e madhe e rasteve ose ankesave që disa institucione kanë paraqitur në Prokurorinë Publike të Shtetit janë në sirtar ose janë në fund të prioriteteve.

Mickoski tha se pret që të gjitha këto lëndë të nxirren dhe të vihen në procedurë, për të parë nëse ekziston dyshim i bazuar për kryerje të veprave penale nga ato institucione, përkatësisht nga personat që i kanë udhëhequr ato.

Ai shtoi se personalisht pret nga Saveski të veprojë edhe për të paktën dy çështje të tjera, të cilat, sipas tij, janë të rëndësishme për të ardhmen e shtetit, përkatësisht mënyra se si Katica Janeva nga burgu ka aktivizuar lëndë, bonuset e PSP-së dhe cilat janë dëshmitë për “27 Prillin”.

Nga foltorja e Kuvendit, ai i bëri thirrje Saveskit që të hapë hetim dhe ta çojë deri në fund për këdo për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer krim, përfshirë edhe anëtarët e qeverisë aktuale.

Këto adresime të drejtpërdrejta të Mickoskit ndaj Saveskit u vlerësuan nga opozita dhe një pjesë e ekspertëve si ndërhyrje e kryeministrit në punën e prokurorisë dhe ushtrim i presionit politik, pasi prokurori publik shtetëror është organ i pavarur dhe sipas ligjit nuk i përgjigjet kryeministrit për punën e tij.

Saveski tha se nuk planifikon të ndërhyjë në lëndë konkrete

Në një intervistë për “360 Gradë”, të dhënë menjëherë pas zgjedhjes së tij, prokurori publik shtetëroNenad Saveski tha se nuk planifikon të ndërhyjë në punën e prokurorëve publikë në lëndë konkrete, por se secili prokuror duhet ta bëjë punën në mënyrë të pavarur, pa ndjerë presion prej tij apo nga ndonjë epror tjetër.

Ai rikujtoi se në prokurori ekziston sistem hierarkie dhe subordinimi, por shtoi se synimi i tij është që kjo të relativizohet deri në atë masë që çdo prokuror publik të vendosë në mënyrë të pavarur dhe autonome, ndërsa vendimet të burojnë nga hetime efikase të bazuara në prova.

“Sigurisht, edhe prezantimi i provave para gjykatës në mënyrë profesionale dhe efikase, që secili i pranishëm në sallën e gjyqit, përfshirë palën kundërshtare, mbrojtjen dhe të akuzuarit, të kenë para vetes qartësi se prokuroria publike disponon me prova të mjaftueshme dhe se ka ngritur aktakuzë të bazuar”, tha Saveski.

Në intervistë, Saveski u pyet edhe nëse do të bisedonte me kryeministrin për lëndë konkrete. Përgjigjja e tij ishte: “Sigurisht që jo, sigurisht që jo”.

Të ngjajshme

Të fundit