Vetëm një opozitë e fuqishme mund t’i bëjë ballë një qeverie. Momentalisht në Maqedoninë e Veriut mbizotëron kjo frymë e cila po pret edhe kapërcimin e ASH-së nga pushteti në opozitë, shkruan POPULLI.mk
U bë një periudhë e gjatë që po përflitet për një kalim të Arben Taravarit në opozitë, për shkak të raporteve të “prishura” brenda partisë ASH-së, me disa nga figurat kyçe. Opozita thuajse çdo ditë po i bën thirrje Taravarit dhe ASH-së për t’u bashkuar dhe ta rrëzojnë BDI-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 8 majit.
Javën e kaluar koalicioni opozitar “LEN” bashkë me Arben Taravarin ishin në Kosovë ku u pritën nga kryeministri, Albin Kurti. Sipas informacioneve që kanë qarkulluar në opinion thuhet se është çështje ditësh dalja e Arben Taravarit me një shumicë të madhe nga ASH-ja në opozitë. Shpeshherë brenda Aleancës për Shqiptarët e kanë thënë se janë krijuar si antipod i BDI-së, poashtu vetë kryetari e ka quajtur “kancer i shoqërisë” partinë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Sipas anketës së fundit nga IPP “Arbën Xhaferi” doli se opozita aktuale bashkë me ASH-në do të dilte fituese në zgjedhjet e ardhshme duke e mundur BDI-në. Nuk duhet harruar faktin se BDI e vetme është realisht një forcë dominuese në skenën politike duke mos humbur asnjë palë zgjedhje që nga viti 2002, informon POPULLI.mk
Dalja e ASH-së së Taravarit në opozitë do të ndryshonte gjithçka deri para zgjedhjeve të 8 majit, duke e ditur edhe rritjen e Lëvizjes Besa dhe shkëputjen e një mase të madhe nga BDI-ja të cilët iu bashkuan LD-së së Izet Mexhitit. AlternAtivA me forcat e saja do të merr pjesë në këtë koalicion edhe pse kohëve të fundit ka pasur disa përplasje brenda partisë si largimi i Skender Rexhepit – Zejdit dhe Hysni Ismailit i ka shkaktuar jo pak telashe.
Se çfarë do të ndodhë ditëve në vijim mbetet të shihet. A do të shkojë ASH e vetme në zgjedhje, bashkë me BDI-në dhe LSDM-në apo do t’i bashkohet koalicionit opozitar “LEN”?
© POPULLI.mk
