5.8 C
Skopje
E diel, 8 Mars, 2026

Konjufca pranon propozimin për mandatar: Të shmangen dy palë zgjedhje dhe të votohet buxheti

“Pas diskutimesh të zgjeruara e të thelluara në kryesinë e Lëvizjes sonë, unë do të propozoj si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje që jam që mandatin e dytë për krijimin e Qeverisë t’ia japim nënkryetarit, aktivistit, shokut e mikut tonë të afërt e fort të besueshëm Glauk Konjufca”, tha Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.

“Populli shumë shpejt pret të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021”, tha Glauk Konjufca, nënkryetar i Vetëvendosjes.

Kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti tha se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.

“Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë”, u shpreh Albin Kurti, Kryetar i Vetëvendosjes.

Në fjalën e tij në Këshillin e Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se, interesi aktual publik, sipas partisë së tij është ndarë në dy shtylla: shmangia e dy zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe votimi buxhetit për vitin 2026. Konjufca tha më tej se mosmandatimi i Kurtit për kryeministër është “kompromisi i madh” i LVV-së.

“Më shumë se kaq nuk ka mundësi sepse po e prezantojmë një Qeveri ku kryeministër nuk është Kurti dhe ky është kompromis i madh. Tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, u shpreh Glauk Konjufca, Mandatar për formimin e Qeverisë.

Por në reagimin e tyre të shpejtë, opozita e kundërshtoi edhe emrin e Glauk Konjufcës për kryeministër të Kosovës.

PDK-ja tha se është e qartë se nuk ka shumicë shqiptare në Kuvend, duke e cilësuar si “humbje kohe” dhe “zvarritje të panevojshme” mandatimin e një kandidati të ri nga LVV-ja për postin e kryeministrit. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”. Ndërkaq, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se presidentja nuk ka mandat që ta mandatojë askënd për formimin e qeverisë “pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme”.

Kreu u Vetëvendosjes Albin Kurti tha se do t’ia dërgojë emrin e Konjufcës për mandatim te presidentja Vjosa Osmani. Osmani ka afat deri nesër që të vendosë nëse do ta mandatojë Konjufcën apo dikë tjetër apo do të shpallë zgjedhjet e reja. Në rast se presidentja e mandaton Konjufcën, sipas Kushtetutës, ai do të ketë kohë 15 ditë që të paraqesë para Kuvendit përbërjen e re të Qeverisë, e cila duhet të marrë të paktën 61 vota për.

Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë, por për mandatarin e dytë është në diskrecionin e presidentes se kë ta mandatojë. /Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit