7.8 C
Skopje
E mërkurë, 1 Prill, 2026

Korridori 8 në krizë, opozita shpërthen kundër vendimit të qeverisë

Struga nuk do të lidhet me autostradën Kërçovë – Ohër e cila me vite po zvarritet, segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë prej 57 kilometrave tani për tani nuk do të ndërtohet, siç tha kryeministri për shkak të UNESCO-s. Kjo çështje ka nxitur reagime të ashpra nga partitë opozitare, ndërkaq zëvendësministrja e Transportit premtoi se do të gjendet zgjidhje që ky segment të ndërtohet, shkruan Portalb.mk.

Ashtu siç pati paralajmërime nga opozita para pak javësh, kryeministri Hristijan Mickoski sot e konfirmoi se segmenti nga Trebenishta deri në Qafë Thanë me shumë gjasë nuk do të ndërtohet, siç tha, sepse nuk varet nga vendi, por nga UNESCO.

“Megjithatë, po kërkohet mënyra se si të përmbyllet edhe kjo tërësi, sepse hyn në perimetrin e UNESCO-s dhe këtu do të gjejmë një mënyrë që përsëri të kemi komunikacion të sigurt ndërmjet këtyre dy pjesëve dhe mendoj se do ta arrijmë këtë. Në këtë moment, me shumë gjasë, ende nuk është marrë vendimi përfundimtar, ende po negociohet dhe po diskutohet, por ka shumë gjasa që këtu të kemi ndryshime”, tha Mickoski.

Ndaj kësaj reaguan ashpër partitë opozitare shqiptare.

BDI thotë se edhe zyrtarisht u anulua Korridori 8, segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.

“Para një muaji kur e ngritëm këtë çështje thanë se është shpifje. Sot doli në shesh e vërteta. Edhe një projekt i anuluar, edhe një e drejtë e mohuar nga kjo qeveri. Një gjë u premtojmë, do të mbani përgjegjësi”, thanë nga BDI.

Nga Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës theksuan se Mickoski konfirmoi denoncimin e kryetarit, Ziadin Sela për Korridorin 8

“Kryeministri Mickoski sot vetëm konfirmoi atë që Kryetari, Ziadin Sela, denoncoi shumë ditë më parë (10 mars, 2026). U desht një kohë që të gjejnë një alibi dhe të fshihen pas UNESCO-s, por ne nuk do të dorëzohemi. Edhe këtë alibi do t’ua demaskojmë e demantojmë si edhe çdo tendencë tjetër për të eliminuar Strugën dhe vendbanimet e tjera shqiptare nga korridoret ndërkombëtare dhe për të devijuar tërësisht Korridorin 8. Këto skenare nuk duhet t’i lejojmë dhe të gjithë duhet të ngrejmë zërin e të veprojmë për të prishur planet e tilla antishqiptare”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët – Ziadin Sela.

Kryetari i tjetrës Aleancë për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se as Struga, as shqiptarët nuk mund të devijohen nga rruga evropiane.

“Përpjekjet për t’i larguar nga kjo rrugë janë të kota dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vullnetin qytetar, i cili është i qartë, i qëndrueshëm dhe i pakthyeshëm”, tha Taravari.

Nga ana tjetër, zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri thotë se për segmentin Trebenishtë – Qafë Thanë, është e rëndësishme të sqarohet se gjatë fazës së projektimit fillestar nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, përkundër ndjeshmërisë së zonës.

“Në takimin e fundit të zhvilluar para disa javësh ndërmjet Ministrit Nikolloski dhe përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual, të cilin ne e kemi trashëguar. Për ne është thelbësore që të mos rrezikohet në asnjë moment statusi që gëzon vendi ynë në raport me këtë organizatë”, tha Zekolli Shaqiri.

Por ajo thotë se “lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet.”

“Aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm, në koordinim me UNESCO-n, në mënyrë që ky projekt të mos pengohet dhe të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu, Ministria e Transportit është drejt përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë, çka dëshmon qartë përkushtimin tonë për një lidhje të plotë dhe funksionale të kësaj autostrade. Lidhja infrastrukturore me Republikën e Shqipërisë është prioritet strategjik dhe do të realizohet me patjetër, pavarësisht zgjidhjes përfundimtare teknike që do të përzgjidhet për këtë segment”, tha Zekolli Shaqiri.

Projekti i Korridorit 8 dhe çështjet që lidhen me rajonin e Ohrit kanë qenë kohët e fundit në qendër të debateve publike dhe politike në Maqedoninë e Veriut. Ndërtimi i këtij korridori, i cili synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në rajon dhe me mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime lidhur me realizimin e projektit. Ndërtimi i Korridorit 8 është shoqëruar me akuza për devijim të projektit, shkurtim të fondeve dhe largim të punëtorëve nga puna.

Ndryshe, Korridori 8 e lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, ai është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor.

Të ngjajshme

Të fundit