12.8 C
Skopje
E martë, 17 Mars, 2026

Kosova bie në vendin e 99-të për lirinë e shtypit, pozicioni më i ulët në dekadë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësimin pas publikimit të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit nga organizata ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij”, ku Kosova është renditur në vendin e 99-të nga gjithsej 180 vende të përfshira në vlerësim.

Kjo paraqet një rënie të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar, kur Kosova ishte në vendin e 75-të, dhe është pozicionimi më i ulët i vendit në dekadën e fundit.

Sipas raportit, gazetarët në Kosovë po përballen me sulme të vazhdueshme politike dhe shpesh akuzohen padrejtësisht si “bashkëpunëtorë të armikut” – një retorikë që përdoret nga grupe politike dhe fetare.

“Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënëse, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.

Raporti evidenton gjithashtu një sërë shqetësimesh të tjera serioze për gazetarët, përfshirë shtimin e padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), vështirësitë në qasjen në dokumente publike, ndjekjen dhe kërcënimet fizike.

Mediat private dhe transmetuesi publik RTK janë përballur me presione të vazhdueshme dhe tentativa për bojkotim nga ana e qeverisë.

Reagon AGK-ja

Në këtë kontekst, ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili bën thirrje për një veprim të përbashkët nga institucionet dhe shoqëria civile për përmirësimin e situatës.

“AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje.

AGK-ja i fton të gjithë akterët institucionalë e të shoqërisë civile për punë të përbashkët, duke përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave”, thuhet në reagimin e AKG-së.

Sulmet nga pushteti

Ndërkohë, edhe juristja e medias, Flutura Kusari, ka renditur disa faktorë që, sipas saj, kanë ndikuar në përkeqësimin dramatik të renditjes së Kosovës.

“Sipas të dhënave që i nxorra nga i njëjti indeks, kjo është pozita me e ulët në të cilën eshte rankuar Kosova në dekaden e fundit, pra nga viti 2015.

Arsyet e kesaj rënie dramatike janë: Sulmet politike ndaj gazetarëve, përmendet specifikisht akuza e pabazë ndaj gazetarëve se kinse bashkëpunojnë me armikun; Radio Televizioni i Kosovës; Ligji për Komisionin e Pavarur për Media; Bojkoti ndaj mediave para zgjedhjeve; Moszbatimi i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike; Vëzhgimi i gazetarëve; Policia dhe prokuroria i hetojnë rastet por nuk ngrisin aktakuza; Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike

Kosova ka qenë kampione e lirisë së medias në Ballkan. Tash është vendi i ranguar në poziten më të ulët”, ka shkruar Kusari në Facebook.

Të ngjajshme

Të fundit