-1.2 C
Skopje
E hënë, 2 Mars, 2026

Kosova po rinovohet politikisht, RMV dhe Shqipëria jo!

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria vazhdojnë të mbeten dukshëm prapa Kosovës sa i përket zhvillimit të proceseve zgjedhore dhe përfshirjes reale të rinisë në politikë. Ndërsa në Kosovë zgjedhjet po shndërrohen gjithnjë e më shumë në një hapësirë ku promovohen ide të reja dhe fytyra të reja, në RMV dhe në Shqipëri skena politike mbetet e mbyllur dhe e dominuar nga të njëjtat figura prej vitesh.

Shkruan Elon Latifi

Mungesa e hapësirës për të rinjtë është një nga problemet më serioze. Partitë politike në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri nuk po tregojnë gatishmëri për t’u hapur ndaj gjeneratave të reja, duke mos marrë shembull nga Kosova, ku të rinjtë jo vetëm kandidojnë, por edhe marrin mbështetje reale nga strukturat partiake dhe nga elektorati. Kjo qasje e mbyllur po e varfëron politikën dhe po e largon rininë nga angazhimi publik.

Në vend të ideve të freskëta dhe energjisë rinore, garat zgjedhore në RMV dhe Shqipëri vazhdojnë të mbështeten kryesisht mbi figura të stërvjetruara dhe të harxhuara politikisht, të cilat shpeshherë nuk ofrojnë vizion për të ardhmen. Kjo jo vetëm që e ngadalëson reformimin e sistemeve politike, por edhe e minon besimin e qytetarëve te zgjedhjet.

Kosova, në këtë drejtim, po jep një shembull pozitiv se si mund të zhvillohet një proces zgjedhor më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe më përfaqësues. Përkrahja që u jepet të rinjve dhe hapja ndaj ndryshimit janë elemente kyçe që mungojnë në RMV dhe Shqipëri, ku rinia vazhdon të mbetet në margjina.

Pa një ndryshim real në mentalitet dhe pa hapje ndaj gjeneratave të reja, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria rrezikojnë të mbesin peng i së kaluarës politike, ndërsa Kosova po dëshmon se e ardhmja ndërtohet vetëm duke i dhënë hapësirë atyre që përfaqësojnë të renë dhe shpresën.

Të ngjajshme

Të fundit