Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga posti i tij duke e arsyetuar atë me “shkaqe familjare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se e pranoi dorëheqjen e tij duke e falënderuar “për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”.
Armend Mehaj, shtetas norvegjez me prejardhje nga Kosova, u emërua në detyrën e ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e kryeministrit Albin Kurti pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021.
Kryeministri Kurti tha se ka emëruar në postin e ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedoncin, një ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës dhe më pas si shef i departamentit të operacioneve dhe trajnimeve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
