Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke e cilësuar rezultatin e arritur si një sukses të madh për partinë që ai drejton.
Në një postim në rrjetet sociale, Krasniqi ka bërë të ditur se PDK është konfirmuar si partia më e votuar në Kosovë, me 187,526 vota dhe 206 asamblistë të zgjedhur, duke ruajtur statusin e forcës me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend.
“Me gjashtë komuna të fituara – Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit – PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet,” ka theksuar Krasniqi.
Ai u ndal edhe te balotazhet, ku në katër përballje direkte me pushtetin qendror, PDK arriti të fitojë tri prej tyre. “Disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta. Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë,” shtoi ai.
Kryetari i PDK-së shprehu falënderim për të gjithë kandidatët, aktivistët dhe mbështetësit e partisë në mbarë vendin, duke veçuar kandidatin për Mitrovicë, Arian Tahirin, të cilin e quajti “yll i kësaj fushate” për garën e tij “të fortë dhe dinjitoze përballë tërë aparatit shtetëror”.
Krasniqi vlerësoi gjithashtu qytetarët e Kosovës për pjesëmarrjen e tyre dhe kulturën demokratike që, sipas tij, e kanë bërë procesin zgjedhor “një shembull për rajonin dhe më gjerë”.
“PDK sot qëndron më e bashkuar, më e pjekur dhe më e përgatitur për sfidat që na presin. Ky rezultat nuk është fundi, por fillimi i një kapitulli të ri – kapitulli i bashkimit, rigrupimit dhe përgatitjes për fitoret e ardhshme,” përfundoi ai, duke theksuar se ‘PDK nuk ndalet, sepse PDK është e qytetarëve dhe e Kosovës’.
