Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHLK) njoftoi sot se zgjidhja ligjore për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, e cila është në rend dite të seancës plenare përmes procedurës së shkurtuar, duhet të përmbajë mekanizmat e përcaktuar me Ligjin për Prokurimet Publike, të cilët garantojnë integritet, ligjshmëri, transparencë, efikasitet ekonomik dhe llogaridhënie publike.
KSHLK thekson gjithashtu se, në përputhje me kompetencat e saj dhe në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026-2030, ka identifikuar miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar, përmes të cilave anashkalohet zbatimi i ligjeve sistemore, si një rrezik të lartë për korrupsionin dhe ka propozuar masa dhe aktivitete për tejkalimin e këtij problemi. Komisioni thekson se zgjidhjet e rëndësishme ligjore duhet paraprakisht t’i dorëzohen KSHLK-së për shqyrtim nga aspekti i rreziqeve të korrupsionit.
“Lidhur me informacionet dhe reagimet publike për Propozim-ligjin për realizimin e projektit ‘Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028’, si dhe me çështjet që hapen në lidhje me menaxhimin e mjeteve publike dhe procedurat për shpenzimin e tyre, KSHLK thekson se sigurimi i integritetit, ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies gjatë shpenzimit të fondeve publike është parakusht themelor për mbrojtjen e interesit publik dhe parandalimin e rreziqeve nga korrupsioni.
Çdo zgjidhje ligjore që parasheh përjashtimin ose kufizimin e zbatimit të ligjeve sistemore, veçanërisht të Ligjit për Prokurimet Publike, duhet të jetë e qartë, e detajuar dhe bindshëm e arsyetuar nga aspekti i interesit publik, domosdoshmërisë së këtij përjashtimi, proporcionalitetit të tij dhe vendosjes së mekanizmave efikasë për parandalimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të mjeteve publike.
Zbatimi i parimeve të transparencës, trajtimit të barabartë, konkurrencës së lirë dhe të drejtë, efikasitetit ekonomik, llogaridhënies, integritetit dhe kontrollit efektiv nuk duhet të vihet në pikëpyetje, pavarësisht formës institucionale përmes së cilës do të realizohet projekti ose rëndësisë së tij”, thuhet në njoftimin e KSHLK-së.
Komisioni Antikorrupsion thekson se Ligji për Prokurimet Publike mundëson:
- rregulla dhe kritere të qarta, transparente dhe të përcaktuara paraprakisht për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë;
- sigurimin e konkurrencës reale dhe qasje të barabartë për subjektet e interesuara;
- mbikëqyrje të pavarur dhe efektive mbi procedurat e përzgjedhjes dhe lidhjes së kontratave;
- mbrojtje të përshtatshme juridike për operatorët ekonomikë;
- detyrim për publikimin e thirrjeve, kritereve të përzgjedhjes, kontratave të lidhura, ndryshimeve të tyre dhe realizimit të kontratave, përveç rasteve kur ligji përcakton ndryshe;
- mekanizma për parandalimin dhe menaxhimin e konfliktit të interesit, si dhe rregulla që sigurojnë paanshmëri, objektivitet dhe integritet në procesin e vendimmarrjes.
“Nëse ligjvënësi vlerëson se është e nevojshme miratimi i një zgjidhjeje të veçantë ligjore për realizimin e projektit, KSHLK thekson se ajo duhet të përmbajë mekanizmat e përcaktuar me Ligjin për Prokurimet Publike, të cilët garantojnë integritet, ligjshmëri, transparencë, efikasitet ekonomik dhe llogaridhënie publike.
Në përputhje me kompetencat e saj ligjore, KSHLK edhe në Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit 2026-2030 ka identifikuar miratimin e ligjeve me procedurë të shkurtuar, që anashkalojnë zbatimin e ligjeve sistemore, si një rrezik të lartë për korrupsionin dhe ka propozuar masa për tejkalimin e tyre.
Gjithashtu, konsiderojmë se këto zgjidhje të rëndësishme ligjore duhet paraprakisht t’i dorëzohen KSHLK-së për shqyrtim nga aspekti i rreziqeve të korrupsionit”, thuhet në komunikatë.
Me Propozim-ligjin parashihet themelimi i Fondacionit “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkupi 2028”, i cili, me propozim të kryetarit të Qytetit të Shkupit, do të themelohet nga Këshilli i Qytetit të Shkupit. Fondacioni do të ketë statusin e personit juridik dhe do të udhëhiqet nga një drejtor.
“Qëllimi kryesor i Propozim-ligjit është krijimi i një kornize të veçantë ligjore për organizimin dhe zbatimin e projektit ‘Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkupi 2028’, me të cilën do të sigurohet një model modern, i pavarur dhe i qëndrueshëm i menaxhimit të kulturës”, thuhet në arsyetimin e propozimit ligjor.



