Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar pas tragjedisë së fundit në Koçan, duke deklaruar se drejtësia nuk do të mbetet vetëm një fjalë boshe dhe se shteti do të veprojë për të ndëshkuar përgjegjësit, informon POPULLI.mk
Në një deklaratë publike, Mexhiti përmendi disa nga ngjarjet më tragjike që kanë goditur vendin, përfshirë rastet e ‘Besa Trans’, spitalin modular në Tetovë dhe aksidentin në Llaskarcë, duke theksuar se për një vend të vogël si Maqedonia e Veriut, numri i viktimave nga neglizhenca dhe korrupsioni është alarmant.
“Koçani është ndërgjegja jonë që thërret për veprim. Koçani është dhimbja jonë që kërkon reagim. Koçani është katarsisi i sistemit të qelbur dhe korrupsionit endemik që ka lëshuar rrënjë në institucione dhe po rrënon jetët e njerëzve,” theksoi ai.
Ai siguroi qytetarët se qeveria nuk do të qëndrojë më duarkryq dhe se drejtësia do të vihet në vend. Sipas Mexhitit, shteti do të ndërmarrë masa të forta për të ndaluar hilet institucionale që kanë mbrojtur të paprekshmit ndër vite.
“Lufta jonë për një Maqedoni më të mirë do të ketë kuptim vetëm atëherë kur ata që kanë qenë viktima të një sistemi të padrejtë do të ndjejnë se drejtësia nuk është më e kapur nga mafia që kontrollon shtetin,” shtoi ai.
Në fund, Mexhiti dha një mesazh të qartë: “Përgjegjësi do të ketë! Drejtësi do të ketë: për Koçanin, për ‘Besa Transin’, për Spitalin e Tetovës, për Llaskarcën dhe për të gjitha tragjeditë që kanë ndodhur si pasojë e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë!” / © POPULLI.mk