15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

Kurani dhe hadithi për rregullat e agjërimit islam

Agjërimi islam (sijam) në Kuran përmendet në katërmbëdhjetë vende: shtatë herë në kaptinën El-Bekare, nga dy herë në kaptinat El-Maide dhe El-Ahzab dhe nga një herë në kaptinat En-Nisa, Merjem dhe El- Duke i analizuar ajetet Muxhadele.
Duke i analizuar ajetet kuranore të lartcekura vërehet se Kurani për agjërimin flet në mënyrë të përgjithshme, dhe se nuk lëshohet në çështjet e veçanta dhe për një rregull që ka të bëjë me agjërimin nuk flet në një vend, as në një kaptinë të vetme, por në disa sosh e të cilat janë shpallur në intervale të ndryshme kohore.
Kurani e cek se agjërimi është farz (obligim i detyrueshëm, Sh. B.) dhe që koha e tij është muaji i Ramazanit dhe se ata të cilët nuk janë në gjendje të agjërojnë, për shkak të sëmundjes, pleqërisë, etj., mund të agjërojnë gjatë ditëve të tjera.
Kurani gjithashtu e cek se agjërimi u është urdhëruar myslimanëve sikurse që u ishte urdhëruar të tjerëve para tyre. Agjërimi është shpallur vetëm për hir të njeriut. Njeriut i është dhënë rasti që në Ramazan, muaj i agjërimit islam, të rehabilitohet për mëkatet e kryera.Rregullat e tjera që kanë të bëjnë me agjërimin islam, si p.sh.: çka e prish agjërimin, çka i lejohet agjëruesit, çfarë i preferohet dhe çka i ndalohet, janë të sqaruara me hadith, me burimin e dytë të Islamit.
Llojet e agjërimit islam mund të jenë: agjërimi i obligueshëm (sijamu-l-fardi); agjërimi i kompensueshëm (sijamu-l-kadai); agjërimi i betueshëm (sijamu-n-nedhri); agjërimi i zhdëmtuar si dhe agjërimi i vullnetshëm.

Agjërimi i obligueshëm

Agjërimi i obligueshëm (sijamu-l-fardi) është agjërim i muajit të Ramazanit.
Obligueshëmëria është vërtetuar me Kuran, synet dhe ixhma. Kurani dhe syneti për këtë lloj të agjërimit flasin:

  • që ky (agjërimi) është obligim i detyrueshëm i çdo myslimani e myslimaneje të rritur, mendërisht dhe fizikisht të aftë e të cilët gjatë muajit të Ramazanit ndodhen në shtëpitë e tyre;
  • që ky fillon para agimit e zgjat gjersa të perëndojë dielli me vendim (nijet) se do të agjërohet në emër të Allahut;
  • vendimi (nijeti) nuk është e obligueshme të shqiptohet me gojë, është çështja e zemrës, disa konsiderojnë se mjafton vetëm të ngriturit në syfyr (suhur) me qëllim që të agjërohet e me këtë edhe nijeti tëjetë i zbatuar;
  • agjërimi nuk nënkupton vetëm të përmbajturit nga ushqimi dhe kënaqësitë e tjera trupore, por ai nënkupton edhe përmbajtje nga sharjet, ofendimi, gënjeshtra, mallkimi, përgojimi, etj;
  • ai i cili nuk e agjëron muajin e Ramazanit nga shkaqet e arsyeshme, është i obliguar pastaj të agjërojë ditët e caktuara;
    -ai i cili me qëllim ushqehet, pa ndonjë shkak të arsyeshëm është i obliguar të agjërojë ditët e caktuara me shpengim (kefaret);
  • ai i cili me vështirësi mund t’i përmbahet agjërimit (të moshuarit e molisur, të sëmurët) shpengimi i rrok që t’ia japin ushqimin (vlerën) e suhurit dhe të darkës një skamnori;
  • i rekomandohet agjëruesit që të bëjë iftar (darkë) atëherë kur dielli perëndon, ndonëse i Dërguari ka thënë: “Njerëzit janë në mirësi deri në atë sa shpejtojnë me iftarin,” e që suhuri të mos lihet pa u ngrënë e që sipas mundësisë me suhur të pritet koha e fundit, ndonëse i Dërguari ka thënë: “hani suhurin, se në suhur është bekimi;”
  • nuk preferohet që agjërimi të lidhet (dita dhe nata), as që të teprohet në ushqim gjatë Ramazanit, ndonëse muaji i Ramazanit nuk është muaj i “gjellëve dhe i ëmbëlsirave,” por muaj i shpengimit për mëkatet e bëra:
  • agjërimi në esencën e tij është ibadet dhe ai na është caktuar neve myslimanëve, ashtu sikurse u ishte i caktuar atyre para nesh.

Agjërimi i kompensueshëm (kada)

Agjërimi i kompensushëm (sijamu-l-kadai) është agjërim i udhëtarit dhe i të sëmurit, të cilët për shkaqe të arsyeshme nuk kanë agjëruar në Ramazan, që është muaj i agjërimit islam.
“Kush prej jush është i sëmurë ose është në udhëtim (e nuk e agjëron) atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë.” (El-Bekare, 184).
Gruaja e cila ka fituar menstruacionin e rregullt (hajzi) ose nëse është në gjendje të lehonisë (nifas); nëse me agjërim ajo u sjell dëm shëndetit dhe zhvillimit të foshnjës, shtatzëna dhe mëndesha e gëzojnë të drejtën e mosagjërimit gjatë muajit të Ramazanit me kusht që ditët e mosagjëruara t’i kompensojnë më vonë. Me këtë kompensim nuk duhet vonuar. Ai mund të bëhet në çdo periudhë të vitit, por gjithsesi para Ramazanit pasues.
Kompensimi i ditëve të paagjëruara nuk është e thënë që të kryhet në vazhdimësi (përditë). I Dërguari ka thënë: “Ai i cili dëshiron, për ditët e paagjëruara, mund t’i agjërojë në vazhdimësi (përditë), e kush do mund ta bëjë edhe me ndërprerje.”
Mirëpo, nëse Ramazani pasues pritet pa e shpaguar borxhin e Ramazanit të kaluar, do të agjërohet Ramazani në vijim e pastaj do të kryhet kompensimi i atyre ditëve të paagjëruara të Ramazanit të kaluar duke ia bashkangjitur këtij agjërimi kompensues edhe të ushquarit e një të varfri duke siguruar ushqimin prej dy racionesh në ditë.
Kur një nga asabët e pyeti të Dërguarin lidhur me një person i cili kishte ndërruar jetë pa e arritur ta mbarojë agjërimin kada (sijamu-l-kadai), I Dërguari ka thënë: “Kush ndërron jetë para se të arrijë ta përfundojj agjërimin kada të Ramazanit të mëhershëm (kalues), atëherë pasardhësit në emër të tij le t’u ndajnë të varfërve sadakë-lëmoshë.

Agjërimi betues

Agjërimi betueshëm (sijamu-n-nedhri) është lloj i agjërimit kur dikush betohet se do të agjërojë një, dy… ditë, javën ose muajin dhe obligohet ta përmbushë këtë, ngase Allahu në Kuran ka thënë: “Le t’i përmbushin premtimet e veta.” (El Haxhxh, 29).
Ndërkaq, nëse personi, i cili është betuar se do të agjërojë, ndërron jetë dhe mbetet pa e realizuar betimin, atëherë vlejnë rregullat e njëjta si dhe tek ai i cili ka ndërruar jetë dhe nuk e ka shpaguar borxhin e agjërimit të Ramazanit.
Transmetohet nga Ibën Abasi, se tek i Dërguari i Allahut ka ardhur një njeri dhe i ka thënë: -I Dërguar i Allahut, nëna më ka ndërruar jetë, duke mos e përmbushur agjërimin betues. Unë, a mund të agjërojë në emër të saj? -Po! – i tha i Dërguari. Borxhi ndaj Allahut duhet të shpaguhet sa më parë.
Pasi njeriu është përgjegjës për atë se çka dhe si punon, kur ai ndërron jetë, sipas hadithit të të Dërguarit, përfundojnë të gjitha veprat e tij pos sadakës së përhershme; mësimet e dobishme dhe fëmija i edukuar mirë, atëherë ai i cili ka ndërruar jetë e obligimin e tij të pakryer të agjërimit ose të haxhit, ia ka kryer tjetri, do të ketë vetëm dobi të vogla, se njeriut i takojnë vetëm frytet e punës së vet.
Ndërkaq, duhet të dimë se Islami nuk i shkëput lidhjen ndërmjet atyre të gjallëve dhe të vdekurve. Të gjallët duhet të luten për të vdekurit e tyre, për ata të kërkojnë falje (magfiret) dhe mëshirë (rahmet), se në Kuran thotë: ” Zoti ynë! M’i fal gabimet mua dhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët Ditën kur jepet llogaria.” (Ibrahim, 41).

Agjërimi i zhdëmtuar (për keffarete)

Agjërimi për keffarete me rastin e gabimeve të caktuara sikurse kefareti për betim, me rastin e prishjes së agjërimit, keffareti i Dhiharit ose keffareti për mbytje.
Lirimi i robit ose i robëreshës ose agjërimi dy muaj pa ndërprerje është shpengim (keffaret) për atë i cili pa arsye nuk e agjëron muajin e Ramazanit. Nëse këtë nuk mund ta përmbush, atëherë është i obliguar që nga dy racione ushqim në ditë t’ua ndajë gjashtëdhjetë fukarenjve.

Agjërimi i vullnetshëm

Agjërimi i vullnetshëm (sijamu-l-tetavui) është agjërim nafile. Besimtarët myslimanë e agjërojnë nga dëshira që t’i afrohen Allahut, që ta fitojnë mëshirën dhe kënaqësinë e Tij. Ky lloj i agjërimit është i lejuar në çdo muaj. Por, në ditët e caktuara është i ndaluar, e në të tjerat jo i preferuar, është mirë të agjërohet në ditët në të cilat ka agjëruar i Dërguari i ynë, Muhamedi a.s.
Agjërimi i vullnetshëm është i ndaluar të aplikohet në ditët e caktuara:

  • Në ditën e parë të Bajramit të Ramazanit dhe në ditën e parë të bajramit të kurbanit, ngase agjërimi në këto ditët e caktuar është në kundërshtim me festën e cila e nënkupton gëzimin, gazmendin, shoqërimin e ndërsjellë të njerëzve. Si dhe 3 ditëve që pasojnë pas ditës së Bajramit të Kurbanit); -që quhen ditët e teshrikut);- Në ditën e dyshimtë (jevmu-shshekk), kjo është dita e fundit e muajit Shaban, për të cilën dyshohet se a është dita e tridhjetë e këtij muaji ose dita e parë e muajit të Ramazanit;
  • Ky lloj i agjërimit, poashtu i ndalohet gruas ta agjërojë pa pëlqimin e burrit të saj, ngaqë i Dërguari ka thënë: ”Gruas nuk i lejohet të agjërojë nafile pa pëlqimin e burrit.” Qëllimi i kësaj ndalese është mbrojtja e marrëdhënieve familjare.
    Agjërimi i vullnetshëm nuk preferohet që të aplikohet vetëm ditëve të premte ose të shtuna, ngaqë i Dërguar ka ndaluar që për këtë lloj të agjërimit të caktohet vetëm e premtja ose e shtuna.
    Transmetohet se disa nga shokët e tij një të premte kanë ardhur tek i Dërguari a.s., i cili i ka shërbyer me ushqim, kur ata i thanë se janë me agjërim, ai pyeti: -A keni agjëruar dje? -Jo, u përgjigjën ata. -A do të agjëroni nesër? I pyeti i Dërguari a.s.-Jo, thanë ata.-E ju agjërimin ndërprejeni iu tha Muhammedi a.s..
    Agjërimi i vullnetshëm mirë është që të agjërohet në këto ditë: në ditën e Arafatit, ata të cilët nuk ndodhen në kryerjen e obligimit të haxhit, e jo edhe haxhitë të cilët ndodhen në Arafat. Në hadithin e Pejgamberit qëndron: (Ai i cili agjëron “jevme arefe” (dita e nëntë e dhu-l-hixhes, në prag të Bajramit të Kurbanit) do t’u falen mëkatet e vogla të kryera pa qëllim e pavetëdije);
  • në ditën e Ashures, dita e dhjetë e muajit të muharremit – Ibën Abasi thotë: Nuk e kam vërejtur të Dërguarin që i përmbahet agjërimit të çfarëdo dite tjetër, pos të kësaj dite, të dhjetës së muharremit dhe të këtij muaji, muajit të Ramazanit;
  • gjashtë ditë të muajit të shevvalit (Ai i cili agjëron muajin e Ramazanit dhe gjashtë ditë të muajit shevval do të shpërblehet sikur të kishte agjëruar gjatë tërë jetës);
  • tre ditë në çdo muaj (Ai i cili agjëron tri ditë të çdo muaji (duke e llogaritur edhe agjërimin e obligueshëm në tërë muajin e Ramazanit) do të llogaritet sikur të kishte agjëruar gjatë tërë jetës);
  • agjërimi në ditët e hënë dhe të enjte për çdo javë, si dhe ditët e tjera në të cilat Pejgamberi a.s. dërguari ka agjëruar.
    Transmetohet nga Ajsheja, r.a. se ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka agjëruar aq shumë saqë mendonim se më asqë do të hajë, ndërsa ushqehej saqë mendonim se më nuk do të agjërojë. Mirëpo, nuk e kam parë të Dërguarin a.s. që të agjërojë ndonjë muaj të tërë pos muajit të Ramazanit, e po ashtu nuk e kam vërejtur që të agjërojë vullnetarisht më tepër sesa në muajin shaban.”
    Sikur që është i ndaluar agjërimi 24 orësh (i tërëditshëm) në muajin e Ramazanit, po ashtu është i ndaluar edhe agjërimi i vullnetshëm gjatë tërë jetës. Transmetohet se Abdullah Ibn Umeri pat thënë: I Dërguari ishte informuar se unë kam deklaruar: “Pasha Allahun ditën do të agjëroj e natën vazhdimisht do t’i lutem Allahut dhe kështu do të bëj gjersa të jem gjallë.” I Dërguari i pati thënë: -Po ti vërtet këtë nuk mund ta durosh. Agjëro dhe ndërpreje. Allahut lutju, por edhe bëj gjumë! Agjëro tri ditë të secilit muaj, sepse çdo vepër e mirë dhjetëfish shpërblehet e kjo është njëlloj sikur të agjërosh tërë jetën. -Unë, vërtet mundem më tepër se kjo – i thashë.-Një ditë agjëro e një ditë ushqehu – tha i Dërguari.-Unë, mundem më tepër se kjo – sërish i thashë.-Një ditë agjëro e një ditë ushqehu – tha Ai.-Ky është agjërimi i Davudit, a.s. dhe është agjërim me vlerë.-Unë, mundem edhe më tepër se kjo – i thashë.-Më tepër se kjo nuk ka – tha Muhammedi a.s.
    I Dërguari a.s. , sikurse shihet nga hadithi i cekur, i shpjegoi Abdullah Ibën Umerit se më mirë është që një ditë të agjërohet e të dytën të ushqehet, sepse njeriu është i obliguar që të kujdesohet për nevojat e trupit të tij, për obligimet ndaj familjes, shoqërisë, mysafirit, etj., andaj sipas versionit tjetër të këtij hadithi, më së miri është që të agjërohet nga tri ditë në secilin muaj (me përjashtim të muajit të Ramazanit, i cili agjërohet i tëri, Sh.B.).
    Që agjërimi të jetë i vlefshëm është i nevojshëm marrja e vendimit – nijjeti.
    Mirëpo një vendim i tillë nuk është i nevojshëm me rastin e agjërimit të vullnetshëm – nafile. Agjërimi i vullnetshëm do të prishet nëse nga harresa hahet, gjë që nuk vlen në rastin e agjërimit të Ramazanit. Ai i cili ka filluar të agjërojë agjërim të vullnetshëm, nëse shkon si mysafir ose dikush i vjen mysafir, agjërimin (agjërimin e vullnetshëm, Sh.B.) gjithsesi duhet ta prishë në mënyrë që ta gostisë mysafirin ose si mysafir t’i bashkëngjitet nikoqirit, gjë që nuk vlen me rastin e agjërimit të obligueshëm në muajin e Ramazanit.
    A është i nevojshëm që të kryhet shpagimi i agjërimit të vullnetshëm? Dijetarët islamë në këtë çështje janë të ndarë. Disa nga ata mendojnë se një gjë e tillë nuk është e nevojshme, ndërsa disa të tjerë duke u mbështetur në disa hadithe të Muhammedit, a.s. mendojnë se edhe për agjërimin vullnetshëm duhet shpaguar.
    Në fund duhet përmendur se ekziston edhe të përmbajturit nga të folurit, si formë dhe lloj specifik i agjërimit. Mirëpo, Islami një gjë të tillë nuk e lejon, ngase ajo do të paraqiste ngatërresë të vërtetë, vuajte dhe mundim për njeriun-agjëruesin.

Jusuf Ramic
Nga gjuha boshnjake përktheu: Shaban Basha

Të ngjajshme

Të fundit