Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri, derisa ka thënë se këto sulme kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë.
Kryeministri Kurti ka thënë se janë akte kriminale dhe terroriste me qëllim frike, por në Kosovë nuk mund të ketë asnjë individ apo strukturë më i fuqishëm së shteti i Kosovës.
“Keqbërës, ndonjë element terrorist nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat paralele grupet kriminale që kanë qenë atje, ose kanë ikur në Serbi, ose janë në ndonjë burg në Kosovë ose strehohen diku jashtë rajonit tonë. Me fjalë të tjera nuk kemi burime të brendshme të destabilitetit potencial apo të kërcënimit të sigurisë të cilët nuk i menaxhojmë e nuk ia dalim në ballafaqim me ta. Besoj që këto janë shprehje e pafuqisë së tyre ndërkohë që janë akte kriminale e terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë. Mirëpo, tash në Kosovë nuk mund të ketë as individ, as grup, as strukur që është më i fuqishëm se sa shteti i pavarur i Kosovës, republika jonë demokratike e cila ngadhënjen rregullisht me fuqinë e ligjit të drejt”, tha Kurti.
Aktin e dënoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri ka pohuar se sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshpërimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi.
“Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë”, ka pohuar ai.
Reagoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. PDK-ja tha se ky sulm është një përpjekje e qartë për të frikësuar Kryetarin e Komunës, Ilir Peci, dhe ekipin e tij.
“ Ky sulm i ulët është një përpjekje e qartë për të frikësuar Kryetarin e Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, dhe ekipin e tij, të cilët po punojnë pa u ndalur për të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Tutje, në reagim thuhet se akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe se “kërcënojnë sigurinë e qytetarëve, minojnë proceset demokratike dhesynojnë destabilizimin e institucioneve tona”.
“Kryetari Ilir Peci përfaqëson angazhimin tonë për një Kosovë më të bashkuar dhe më të mirë, ku të gjithë qytetarët trajtohen të barabartë. Këto përpjekje duhet të mbështeten, e jo të sabotohen”.
“Ne u bëjmë thirrje organeve të rendit dhe sistemit të drejtësisë që të hetojnë me urgjencë këtë rast, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para drejtësisë. Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë duhet të mbeten përparësi e lartë, dhe pandëshkueshmëria për akte të tilla nuk mund të tolerohet”.
“Si PDK, e ripërsërisimin kërkesën tonë ndaj organeve të rendit që t’i ofrojnë mbrojtje dhe të garantojnë sigurinë e Kryetarit dhe zyrtarëve tjerë të Komunës së Zveçanit. Partia Demokratike e Kosovës qëndron fuqishëm pranë Kryetarit Peci dhe qytetarëve të Zveçanit. Nuk do të lejojmë që frika dhe dhuna të pengojnë përparimin tonë të përbashkët drejt një Kosove më të mirë për të gjithë”, thuhet tutje në reagim.
Burimi /Reporteri.net/