Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur për krijimin e qeverisë së re.
Kurti ka thënë se deri më 26 tetor, ka afat për ta paraqitur qeverinë e re.
Kryetari i VV-së theksoi se së shpejti do të fillojnë bisedimet për këtë.
“Për qeverinë qendrore, dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar maksimalisht në analizën gjithëpërfshirëse të rezultatit të zgjedhjeve lokale. Shumë shpejt, këtë javë do të fillojmë bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë tonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin, edhe unë si kryeministër kam hyrë në muajin e shtatë të vitit të pestë, duhet të kemi mandat të rregullt, që padyshim do të fillojë porsa të nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media.
“Tash po numërojmë poshtë, përderisa më herët nuk numëronim te poshtë, por përpara, nuk kishte afate. Tash po numërojmë poshtë, dhe vura theksin te 15 ditëshi që përfundon më 26 tetor. Në momentin që konsiderojmë se bisedat kanë rezultuar të suksesshme, pa vonesë nuk e presim 26 tetorin”, tha ai.
“Po bëhemi gati për qeverinë Kurti 3, nëse nuk ka Kurti 3, jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare”, tha ai.
Ai nuk pranoi të flasë për koalicione, por tha që do të ketë bisedime.
“Komunikimi dhe bisedat që do të zhvillojnë janë ato që do ta përcaktojnë përbërjen e shumicës së re që do ta votojë qeverinë Kurti 3”, tha ai.
Kurti u shpreh i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve lokale. Tha se asnjëherë VV-ja nuk ka pasur rezultat më të mirë.
“Dhurata më e çmuar, urimi që kemi marrë nga populli i Kosovës në këtë 20-vjetor të Vetëvendosjes. Pjesa e parë përfundoi mbrëmë, nga sot i përvishemi punës për balotazh. Synimi ynë është i qartë, që kandidatët të fitojnë edhe në këto komuna, dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë të cilën qytetarët e meritojnë dhe që komunat tona të ecin përpara me zhvillim e mirëqenie, drejtësi e barazi. Komuna që funksionojnë, e ku qeveriset me transparencë”, tha ai.
Ai kërkoi hetim për exit pollët në Mitrovicë.
“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë për huqje, por për ingjiniering të paramenduar, ndërhyrje flagrante në proces. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16% dallim nga më shumë se një organizatë, për të njëjtën komunë, postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira, integritetit e sigurisë. I ftoj organet e sigurisë e drejtësisë të merren me këtë çështje”, tha Kurti.