Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, kanë njoftuar se kanë arritur marrëveshje për emër konsensual për presidentin e Kosovës.
“Jemi dakorduar për një emër, e ai është prof.dr. Bekim Sejdiu”, tha Abdixhiku.
Në fjalën e tij para mediave, Sejdiu tha se e ka pranuar propozimin që të jetë kandidat për president, duke pasur parasysh kontekstin politik në të cilin ndodhet Kosova.
“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, pra besimi që më kanë dhënë të dy partitë politike”, tha Sejdiu para mediave.
Bekim Sejdiu është profesor i së drejtës në Universitetin e Prishtinës dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai ka shërbyer edhe në diplomacinë kosovare, përfshirë si ambasador i Kosovës në Turqi dhe konsull i përgjithshëm në Nju Jork.




