Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një intervistë të gjatë në “Debat Plus” të RTV Dukagjinit, në të cilin foli për shumë çështje aktuale politike, por edhe për të kaluarën e tij, e më saktësisht për ndryshimet e tij gjatë viteve si politikan. Përtej komenteve cinike, shpotive e nervozës, Kurti foli edhe për një fotografi që bëri bujë shumë javën e kaluar, ajo ku shihej me një gotë raki në dorë, teksa cakërronte gotat me Ramush Haradinajn.
Pak kontekst
Në javën që shkoi, Kurti ishte për vizitë në kullën e Haradinajt, kryetar i AAK-së, në Gllogjan të Deçanit, për nder të Epopesë së UÇK-së së Dukagjinit. Aty Kurti ishte parë teksa cakërronte gotat me Haradinajn, duke e çuar nga një gotë raki bashkë me njeriun që dikur e akuzonte rëndë. I pyetur në emision rreth cakërrimit të gotave, Kurti tha se situata ishte e jashtëzakonshme.
Në mesin e njerëzve të pranishëm në kullën e Haradinajt, të cilën Kurti e cilësoi si të parrënuar karshi Serbisë, ishte edhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari, i cili po ashtu e mbante një gotë të rakisë bashkë me Kurtin e Haradinajn.
Tutje, shefi i Qeverisë së Kosovës theksoi se do të ishte gabim të mos i cakërronte gotat me Haradinajn.
“Nëse e ka fjalën për atë dollinë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ajo ishte, se unë s’pe di për çfarë dollie tjetër e ka fjalën, nëse e ka për ndonjë tjetër, le të më tregojnë pas emisionit. Ajo ishte në 25 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, pra ishte një situatë e jashtëzakonshme dhe aty zoti Haradinaj, i cili është edhe pjesëmarrës në atë ballafaqim të ashpër me Serbinë, ai ishte i zoti i shpisë. Pra unë kam mundur të mos shkojë, por mendoj që kish qenë gabim të mos shkojë. Nëse kam shkuar, atëherë është gabim të mos cakërroj gotat. Pra unë besoj që kam vepruar mirë, sepse Epopeja e Dukagjinit është lavdi, jo vetëm e familjes Haradinaj, por e gjithë kombit shqiptar, jo vetëm e Kosovës” – deklaroi Kurti.
Ndryshe Kurti u kritikua ashpër nga shumë njerëz, jo vetëm për shkak të cakërrimit të gotave me Haradinajn, por edhe për ditën që e zgjodhi ta bënte një gjë të tillë. Ishte dita e dytë e Ramazanit, gjë që ngjalli reagime nga shumë qytetarë, duke e kritikuar Kurtin dhe vlerësuar se një gjest i tillë ishte jo dinjitoz.
Shkodran Ramadani, politolog, e kishte komentuar për Nacionalen këtë cakërrim gotash mes Kurtit e Haradinajt.
“Ndërkohë takimi me Ramush Haradinaj është rezultat i një përafrimi të VV-së dhe AAK-së që ka nisur muajt e fundit. Akuzat e rënda u lanë mbrapa. Tash kanë filluar kalkulimet për një koalicion të mundshëm. Derisa VV-se po i largohen deputetet, një ditë do t’i duhet një partner si AAK. Poashtu, me AAK, Albin Kurti do të ketë prapë muskuj e mashqi, ashtu si në kohën e gazit lotsjellës. Poashtu, me AAK ai beson që e forcon legjitimitetin historik, edhe pse AAK është parti me reputacion të rrënuar.” – deklaronte z. Ramadani.
Ndërsa analistja Zana Avdiu e shihte takimin e Kurtit me Haradinajn në kontekstin e pas dakordimit të Ohrit, ku Kurti u pajtua me Vuçiqin rreth një marrëveshje evropiane, e cila nuk u nënshkrua, megjithatë.
“Asocacioni do të bëhet. Marrëveshja është pranuar. Por, Kurtit edhe pse nuk i duhen votat, i duhet mbeshtetje për marrëveshjen dhe implementimin e asociacionit. Në Kosovë, nuk ka mbeshtetje, përveç Haradinajt. Prandaj, ka harruar se çfarë ka thënë për të dhe partinë e tij, dhe i ka zgjatur dorën, e ndoshta do ta hapë edhe derën e qeverisë për AAK.” – vlerësonte zonja Avdiu.
