Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur sot në Davos nënshkrimin e një marrëveshjeje historike për Tregtinë e Lirë me shtetet anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), informon POPULLI.mk
Marrëveshja, e cila përfshin Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, vendos Kosovën në një pozitë të veçantë si vendi i vetëm në rajon që ka një marrëveshje të tillë si për tregtinë e mallrave, ashtu edhe për shërbimet.
“Marrëveshja paraqet një kapitull të ri të forcimit të lidhjeve dhe shkëmbimeve ekonomike ndërmjet Republikës sonë dhe vendeve të EFTA-s. Ajo krijon mundësi të mëdha për prodhuesit dhe kompanitë vendore dhe është një shtysë e fuqishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Kryeministri falënderoi qeveritë e vendeve anëtare të EFTA-s dhe ministren e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, për angazhimin dhe bashkëpunimin deri në finalizimin e marrëveshjes. Kurti nënvizoi se ky hap do të sjellë përfitime të shumta për bizneset, industritë dhe qytetarët e të gjitha vendeve të përfshira, duke e quajtur këtë një moment të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. / © POPULLI.mk