8.8 C
Skopje
E shtunë, 31 Tetor, 2026

Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së: Për rastin e Arlinda Zekajt do të ketë përgjegjësi disiplinore dhe penale

Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se të gjithë zyrtarët përgjegjës për lëshimet institucionale në trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt duhet të japin përgjegjësi, përfshirë atë disiplinore dhe penale, informon POPULLI.mk

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë fjalimit në mbledhjen e 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ndër temat kryesore ishin edhe zhvillimet politike në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi, si dhe procesi i zgjedhjeve të brendshme të partisë.

Duke folur për rastin e Arlinda Zekajt, Kurti tha se ai dëshmon se denoncimi i dhunës dhe ndjekja e rrugëve ligjore nuk garantojnë domosdoshmërisht mbrojtjen e jetës së një gruaje.

“Do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, edhe disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës dhe secila përgjegjësi e secilës hallkë do të hetohet”, deklaroi Kurti.

Kurti paralajmëron buxhetin mbi 1 miliard euro për investime kapitale

Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian, duke theksuar se synimet e radhës të Kosovës janë marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, të hënën, do të miratohet projektligji për buxhetin e vitit 2027.

Sipas Kurtit, ky buxhet do të ketë fokus investimet kapitale, rritjen ekonomike dhe përmirësimin e cilësisë së vendeve të punës.

“Për herë të parë buxheti për investime kapitale do të tejkalojë vlerën 1 miliard euro”, tha Kurti, duke përmendur projektet në rrugë, hekurudha dhe diga.

Flet edhe për protestat në Shqipëri

Kryetari i Vetëvendosjes u ndal edhe te protestat që po zhvillohen në Shqipëri, duke thënë se zhvillimet atje përcillen me shqetësim dhe përgjegjësi.

Ai hodhi poshtë pretendimet për përfshirjen e Lëvizjes Vetëvendosje në organizimin e protestave, duke theksuar se partia aktualisht është forcë qeverisëse dhe jo protestuese.

Kurti tha se Vetëvendosje nuk ka vepruar asnjëherë në mënyrë anonime në organizimin e protestave dhe se, sipas tij, ka qëndruar larg instrumentalizimit politik të tyre.

Kurti për zgjedhjet në Serbi: Shqiptarët siguruan dy mandate

Në mbledhje u diskutua edhe për zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe rezultatin e subjekteve politike shqiptare.

Kurti tha se Koalicioni Shqiptar ka marrë 27.670 vota, duke siguruar dy mandate parlamentare. Sipas tij, ky është rezultati më i lartë i përfaqësimit politik shqiptar që nga viti 2000.

Ai vlerësoi se rezultati erdhi si pasojë e bashkimit të subjekteve politike shqiptare, të cilat, pavarësisht dallimeve, vendosën interesin e përgjithshëm mbi atë partiak.

Nisin zgjedhjet e brendshme të Vetëvendosjes

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe procesit të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, në prag të përfundimit të mandatit katërvjeçar të strukturave organizative.

Kurti falënderoi aktivistët dhe strukturat e partisë për angazhimin gjatë mandatit, duke veçuar edhe organizatat Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!.

Ai kërkoi që në mandatin e ardhshëm këto organizata të kenë shtrirje dhe aktivitet edhe më të madh në nivel lokal.

Sipas tij, procesi i zgjedhjeve të brendshme nuk duhet të kufizohet vetëm në zëvendësimin e emrave apo ndarjen formale të përgjegjësive, por duhet të prodhojë struktura funksionale, aktive dhe të besueshme për anëtarësinë.

“Organizimi nuk matet vetëm me numrin e strukturave, por me aftësinë e tyre për të vepruar”, tha Kurti.

Në këtë proces, sipas tij, do të angazhohen Sekretariati i Përgjithshëm, Grupi Parlamentar, Kryesia Qendrore, Gratë për VETËVENDOSJE! dhe Rinia për VETËVENDOSJE!, në koordinim me organet zgjedhore dhe drejtuesit lokalë.

© POPULLI.mk