Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin për ndarjen nga jeta të Nexhat Dacit, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“Është pikëlluese të njoftohemi se në këtë ditë të parë të vitit 2026 ka ndërruar jetë Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka vlerësuar kontributin e Dacit në jetën institucionale dhe akademike të vendit, duke theksuar se Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999 dhe se u zgjodh dy herë në këtë funksion, në periudhat 2000–2004 dhe 2004–2006. Sipas Kurtit, Daci ishte një nga figurat më aktive të skenës politike gjatë viteve 2001–2011, fillimisht si deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e më pas si themelues dhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë.
Kurti ka rikujtuar gjithashtu se Nexhat Daci ishte një nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, si anëtar i Kryesisë së Kuvendit.
Duke folur për dimensionin akademik të veprimtarisë së tij, Kurti ka theksuar se Nexhat Daci ishte profesor ordinar në Universitetin e Prishtinës dhe një shkencëtar i shquar në fushën e kimisë, autor i shumë punimeve dhe veprave studimore. Ai drejtoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në dy mandate, 1999–2004 dhe 2018–2019.
“Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Daci, kolegëve profesorë dhe akademikë, si dhe bashkëpunëtorëve të tij. Nexhat Daci do të mbetet një emër me rëndësi të veçantë në historinë e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Kurti.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka ndërruar jetë sot në moshën 81-vjeçare.
