Gazetare: Fatlume Dervishi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i mundur dhe për t’u arritur kjo, duhet që t’i bëhet trysni Beogradit që të zbatojë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur më 2023.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Qëndrimi i Kurtit është reagim ndaj presidentit amerikan Donald Tramp i cili shkroi të dielën në Truth Social se gjatë mandatit të tij të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin “duke shkuar drejt një përplasje të ashpër” dhe ishte gati shpërthimi i një lufte. Por, Tramp shtoi se ai e ndaloi atë, duke e akuzuar pasardhësin e tij, ish-presidentin Xho Bajden, se e “ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të pakuptimta. Tramp u zotua se do ta rregullojë sërish çështjen.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit, më 2020, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit e cila nuk është zbatuar plotësisht. Kurti këmbëngul që së pari duhej të zbatohet marrëveshja e arritur më 2023 në Bruksel, dhe aneksi për zbatimin e saj, për të cilin palët u dakorduan në Ohër. /Alsat.mk