Edhe pse i shkoi pak metra larg zyrës së tij, Kryeministri Edi Rama nuk u prit në një takim të veçantë nga Albin Kurti. Sapo kreu i qeverisë shqiptare nisi takimin e parë me presidenten Vjosa Osmani në Prishtinë, kryeministri i Kosovës la selinë e Qeverisë pa dhënë as edhe një deklaratë për gazetarët.
Për gati 1 orë kryeministri Edi Rama bisedoi me presidenten Osmani, e cila u shpreh në rrjetet sociale për takimin.
“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike.”
Në mjediset e Kuvendit të Kosovës Rama u takua edhe me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, i cili pas takimit tha se Edi Rama mund t’i ndihmojë më shumë Kosovës seç po bën tani, ndërsa la të hapur një takim Rama-Kurti.
Vetë kryeministri Rama, pas takimit me Konjufcën u largua duke thënë se nuk mund të bënte konferencë pa homologun.
Ndërsa në Facebook e cilësoi takim të dobishëm atë me Presidenten Osmani, ku i bisedua për samitin e Berlinit në Tiranë, samitin e NATO-s dhe shqetësimet e përbashkëta.
Në ambientet e Kuvendit të Kosovës kryeministri Rama u takua edhe me ambasadorin amerikan në prishtinë Xhef Hovenier
