5.8 C
Skopje
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

Kurti pajtohet të diskutojë për kërkesat e NjSPK-së

Kryeministri Albin Kurti është pajtuar që t’i diskutojë kërkesat e njësive speciale të Policisë të Kosovës, një javë pasi deklaroi se një pjesë e policëve specialë kanë përfituar paga të majme gjatë këtij viti.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se protesta e paralajmëruar për sot nga njësitë speciale të policisë, është pezulluar.

Në komunikatë thuhet se protesta që ishte paralajmëruar të fillojë sot nga ora 12:00, është pezulluar pas takimit të Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me NJSI dhe NJTME, është marrë vendim që të pezullohet përkohësisht.

Po ashtu, policia ka thënë se deri tek pezullimi ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, gjatë takimit ka njoftuar se kryeministri Kurti ka premtuar se do t’i presë në takim zyrtar menaxhmentin e Policisë së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive “për t’i diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”.

Më 1 nëntor, kryeministri kishte reaguar kundër protestës së Njësisë Speciale Intervenuese të mbajtur para qeverisë.

Në kundërshtimin e tij, Kurti është shprehur se secili pjesëtarë i policisë ka pajisje në vlerë afër 10 mijë euro, dhe të ardhurat mesatare të shumicës së tyre kanë shkuar në mbi 2.200 euro në muaj.

Kurti, kishte deklaruar se tashmë ata do të kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë në vlerë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon situata në veri të vendit.

“Secili pjesëtar i NjSI ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit, e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, kishte deklaruar Kurti.

Tutje, ai ishte shprehur se janë 203 policë të Kosovës, që këtë vit kanë pasur të ardhura më shumë se Presidentja e Kosovës, duke marrë pagën prej 1.890 euro, kurse në korrik të këtij viti, ishin afër 700 policë me këtë pagë, ku përfshihen shumica e NjSI-së.

Të ngjajshme

Të fundit