Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti thotë se jo rastësisht e ka nisur fushatën në Gjakovë dhe Mitrovicë.
“Mbrëmë ishim në Gjakovë. Sonte në Mitrovicë. Jo rastësisht e nisëm me këto dy qytete. Gjakova ka pësuar më së shumti gjatë luftës, kurse Mitrovica ka pësuar më së shumti pas luftës. Në përmbyllje të mandatit tonë të parë, Mitrovica e Trepçës dhe e minatorëve, e Ujmanit, e Isë Boletinit, e kulturës dhe sportit, është më e plotë se asnjëherë më parë prej çlirimit të vendit dhe më e gatshme se kurdoherë për të vazhduar rrugëtimin e ndryshimit që nisi më 14 shkurt 2021 dhe zhvillimit që do të vijojë e të marrë hov të ri edhe pas 9 shkurtit 2025.
Nga zotimet te progresi në ekonomi, drejtësi, bujqësi dhe shëndetësi e deri te siguria e sovraniteti cep më cep në tërë republikën tonë. Ju falemnderit për mikpritjen sot në Teatrin “Muharrem Qena” që është rinovuar tërësisht nga ministria jonë e Kulturës, e mirupafshim sot një javë, përsëri në Mitrovicë, në Sallën e Sporteve “Minatori”.”, ka shkruar Kurti.