-1.2 C
Skopje
E hënë, 2 Mars, 2026

Kush e mban gjallë VLEN-in? Lidershipi me rotacion, apo ai serioz

Kohëve të fundit është intensifikuar dukshëm debati publik rreth lidershipit të VLEN-it. Diskutimet nuk kanë munguar as brenda opinionit politik e as në qarqet mediatike, ku shpesh është përmendur ideja e një rotacioni mes katër liderëve; Izet Mexhiti, Bilall Kasami, Bekim Sali dhe Arben Fetai.

Shkruan Elon Latifi

Megjithatë, nëse analizohen me qetësi rrjedhat politike, puna konkrete në terren dhe pesha reale që secili ka pasur në ndërtimin dhe suksesin e VLEN-it, bëhet e qartë se vetëm dy figura e meritojnë realisht postin e kryetarit, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.

Izet Mexhiti është pa dyshim arkitekti kryesor i koalicionit VLEN. Vendimi i tij për t’u larguar nga BDI nuk ishte thjesht një akt politik personal, por një hap strategjik që çoi në bashkimin e opozitës shqiptare dhe krijimin e një alternative serioze përballë pushtetit të konsumuar. Pikërisht ky guxim politik i hapi rrugë një procesi që solli fitore të rëndësishme, sidomos në Shkup, ku VLEN arriti të fitojë thuajse të gjitha komunat me shumicë shqiptare.

Nga ana tjetër, Bilall Kasami ka dëshmuar një angazhim dhe performancë të shkëlqyer në rajonin e Pollogut. Puna e tij në terren, organizimi politik dhe lidhja me qytetarët kanë qenë faktorë kyç në konsolidimin e mbështetjes për VLEN-in në këtë zonë strategjike.

Si një nga figurat më me përvojë në skenën politike shqiptare, Izet Mexhiti posedon jo vetëm fuqinë politike, por edhe vizionin e nevojshëm për ta udhëhequr VLEN-in drejt fitoreve të reja. Ai ka treguar se di të ndërtojë aleanca, të marrë vendime të vështira dhe të mbajë përgjegjësi në momente kyçe.

Në fund, një gjë është e qartë, vetëm një VLEN i fortë, i bashkuar dhe i pa përçarë mund ta ruajë dhe ta thellojë fitoren e arritur në zgjedhje. Çdo përplasje e brendshme apo ambicie personale e panevojshme do ta dobësonte këtë projekt politik, i cili sot përfaqëson shpresën më të madhe për ndryshim real në kampin politik shqiptar.

Të ngjajshme

Të fundit