Alvaro Arbeloa nuk e ka nisur mirë aventurën e tij te Real Madridi dhe, me sytë nga vera, klubi vazhdon të eksplorojë tregun në kërkim të ndonjë mundësie interesante për planifikimin afatmesëm.
Në këtë kontekst, Jurgen Klopp mbetet një nga emrat e shënuar me të kuqe në axhendën e drejtuesve sportivë.
Kriza e Real Madridit thellohet dita-ditës.
Pas shkarkimit të parakohshëm të Xabi Alonsos, pas humbjes së Superkupës ndaj Barcelonës, realiteti është se Arbeloa nuk ka arritur të ndryshojë rrjedhën e gjërave.
Eliminimi nga Kupa e Mbretit ndaj Albacetes në fazën e 1/8-ave, në një përballje të kushtëzuar nga vendimet e tij në listën e të grumbulluarve, e ka përkeqësuar edhe më shumë situatën.
Në debutimin e tij në stolin e “Los Blancos”, ish-mbrojtësi i Liverpoolit dhe i përfaqësueses spanjolle vendosi të mos udhëtonin as Mbappe, as Tchouameni dhe as Bellingham.

Mungesat u ndjenë qartë në fushë, ku Real Madridi zhvilloi një ndeshje shumë të dobët, duke e lënë portierin vendas thuajse pa punë, pavarësisht nevojës për të shënuar në disa momente të takimit.
Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e reagimit pas golave të Albacetes.
Asnjë nga lojtarët që zbritën në fushë nuk arriti të shpëtojë nga kritikat.
Problemet në Chamartin, siç po shihet, shkojnë përtej emrit të trajnerit dhe kërkohet një ristrukturim i thellë i skuadrës në verë për të ndërtuar një projekt të ri konkurrues.
Në këtë skenar, është e vështirë të mendohet se Arbeloa do të vazhdojë të drejtojë ekipin në sezonin 2026-2027.
Në zyrat e larta të “Santiago Bernabeut” vazhdon të jetojë ëndrra për ta sjellë Jurgen Kloppin në krye të projektit.
Trajneri gjerman ndihet komod në rolin e tij aktual si Drejtor i Përgjithshëm i Futbollit në strukturën Red Bull, por sipas raportimeve të Florian Plettenberg, Real Madridi do të ishte një nga vetëm dy opsionet që ai do të pranonte për të lënë detyrën e tanishme.

Kushti kryesor për një transferim të mundshëm në Madrid është që të mos e thërrasë kombëtarja gjermane.
Pasi ka fituar gjithçka në nivel klubesh, Klopp e konsideron prioritet për karrierën e tij suksesin me Gjermaninë, e cila aktualisht po kalon një periudhë të vështirë, duke arritur vetëm gjysmëfinalet e Euro 2024 në turnetë e mëdhenj të fundit.
Jurgen Klopp u bë i njohur në skenën ndërkombëtare kur i rrëmbeu Bayern Munichut dy tituj të Bundesligës me Borussia Dortmundin.
Ai arriti gjithashtu një finale të Ligës së Kampionëve, të humbur ndaj bavarezëve, ndërsa me Liverpoolin fitoi si Ligën Premier ashtu edhe Ligën e Kampionëve, duke u konsoliduar si një nga trajnerët më të suksesshëm të epokës moderne.
