Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, së bashku me Ministrin për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, Ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski dhe Ministrin për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot dhe nesër janë në vizitë të Berlinit, Republika Federale e Gjermanisë, ku do të zhvillohet takimi i krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit të Berlinit, transmeton Portalb.mk.
Është parashikuar pjesëmarrje dhe konferencë e përbashkët për shtyp e kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Shollc dhe Ursulla fon der Llajen, kryetare e Komisionit Evropian dhe nikoqire e Samitit të ardhshëm.
Pjesëmarrës në takim janë tradicionalisht gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vendet mbështetëse të tyre Austria, Franca, Italia, Sllovenia, Kroacia, Britania e Madhe, Polonia dhe nga viti 2019 edhe Greqia dhe Bullgaria, si dhe presidenca e rradhës së Këshillit të BE, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA dhe Zyra Rajonale Rinore (RYCO).
Parashikohen edhe takime të tjera bilaterale të kryeministrit Mickoski.,]
Kujtojmë se Samiti i Procesit të Berlinit, vitin e kaluar u zhvillua në Tiranë, për herë të parë, në një shtet joanëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Walter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë).