23.8 C
Skopje
E mërkurë, 30 Prill, 2025

Lënda për keqpërdorime në ndërtimin e Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës në Gjykatën Supreme

Lënda për keqpërdorimet gjatë ndërtimit të objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës ku disa persona fizikë dhe juridikë përfituan jashtëligjshëm mbi 13 milionë euro, momentalisht ndodhet në Gjykatën Supreme, pasi Gjykata e Tetovës kërkoi inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit, shkruan Portalb.mk.

Gjykata Supreme e konfirmoi për Portalb.mk se në këtë gjykatë është ngritur rast për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit për lëndën e keqpërdorimeve financiare gjatë ndërtimit të objektit të Teatrit dhe Bibliotekës në Tetovë.

“Lidhur me propozimin e paraqitur, u kërkua mendim nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili iu dorëzua kësaj gjykate më 28.04.2025, dhe çështja iu caktua një gjyqtari”, thanë nga Gjykata Supreme.

Nga kjo gjykatë shtuan se do të përpunohet në përputhje me rendin e përcaktuar të zgjidhjes së çështjeve në Gjykatën Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Kjo lëndë fillimisht ishte në Gjykatën Penale të Shkupit.

Më pas u dorëzua në Gjykatën e Tetovës, ku më pas e njëjta sipas sistemit AKMIS i ra gjykatësit Elvedin Ferati.

Por, Gjykata e Tetovës e dorëzoi këtë lëndë në Gjykatën Supreme me propozim për inicimin e procedurës për zgjidhjen e konfliktit të juridiksionit.

Nga Gjykata e Tetovës nuk bënë të ditur se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.

Kujtojmë që më 18 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dorëzoi në Gjykatën Penale në Shkup aktakuzë kundër një personi dhe propozim aktakuzë kundër një personi juridik dhe tre personave fizikë. Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020, dyshohet se kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë (mbi 13 milionë euro).

“Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2020 në Tetovë, i pandehuri i parë S.Sh. si pronar dhe menaxher i personit të akuzuar juridik nga Tetova, së bashku dhe në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin e tretë H.F. atëkohë drejtori i Institucionit Nacional – Qendra për Kulturë “Iljo Anteski – Smok” – Tetovë dhe me të pandehurin e katërt A.A. – kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, ndërsa më pas edhe ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Kulturës, me vetëdije ka anashkaluar rregulloret dhe rregullat e procedurës për dhënien e kontratës së prokurimit publik dhe ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar. Me veprimet që përbëjnë kryerje të shumëfishtë të së njëjtës vepër, të pandehurit për personin e dytë të akuzuar juridik kanë arritur përfitime pasurore të mëdha në shumë prej 832.983.064,00 denarë“, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 11 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë i cili ishte për në fund të këtij viti.

Të ngjajshme

Të fundit