Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare valltarja e njohur e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Liljana Cingu.
“Me zemrën e mbushur me trishtim dhe respekt, e shkruaj këtë status për të shprehur ndjenjat e mia për humbjen e një figure të shquar të artit dhe kulturës shqiptare, “Mjeshteren e Madhe”, “Nderin e Kombit”, znj. Lili Cingu. Ajo ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist. Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Performancat e saj do të mbeten në kujtimet tona si momente të paharruara dhe si një dëshmi e qartë e dashurisë së saj ndaj artit.
Me respektin më të thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta, familjes dhe miqëve të saj”- shkruan Kastrati.
Artistja e mirënjohur ishte një nga valltaret shqiptare më të mira shqiptare, e nderuar me disa tituj për karrierën e saj artistike, si “Nderi i Kombit” dhe “Mjeshtër i madh”.
“Lili”, sikurse e thërrisnin të njohurit Liljana Cingun, ishte një nga valltaret shqiptare që krijoi një personalitet tipik të sajin jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. Vitet e saj, të fshehura me hijeshi pas veshjeve elegante, tregojnë për një femër që i mbijetoi kohës falë pasionit për vallet e bukura shqiptare.
“Unë në çdo valle jam ndjerë e mirë, por duke e ditur që im atë është nga Gjakova, e ndjej për detyrë dhe si amanet të tim ati, që vallen kosovare ta kërcej dhe ta sjell sikurse ajo është, shumë e bukur”- do të shprehej Cingu, ndërsa fliste për pasionin e saj për vallet dhe folklorin duke e konsideruar pasurinë e kombit.
