Deputeti i koalicionit shqiptar, VLEN, Bekim Qoku, ka reaguar ndaj debatit të brendshëm në këtë koalicion lidhur me mënyrën e pjesëmarrjes në zgjedhjet e ardhshme lokale, duke paralajmëruar se dalja me lista të ndara për këshilltarë komunalë do të ishte gabim strategjik dhe politik.
Në një reagim të gjatë dhe të argumentuar, Qoku thekson se insistimi i Aleancës për Shqiptarët – krahu i Taravarit për të garuar me lista të veçuara është i papranueshëm për pjesën tjetër të koalicionit dhe rrezikon të minojë vetë frymën e bashkimit.
“Insistimi për lista të ndara është të kërkosh sebep për t’u ndarë, jo për t’u bashkuar. VLEN-i duhet të masë forcat me BDI-në, jo brenda vetes,” shkruan Qoku.
Ai thotë se dalja me lista të ndara do të dëmtonte rëndë kohezionin e koalicionit, do të shpërndante votën shqiptare dhe do të krijonte një fushatë konfuze dhe të polarizuar brenda vetë VLEN-it.
“Katër lista nga një koalicion i vetëm nënkupton katër shtabe, konkurrencë të brendshme, sabotime të ndërsjella dhe fokus të devijuar nga beteja kryesore me BDI-në,” thekson ai.
Qoku liston 16 arsye të detajuara pse është e domosdoshme që VLEN të garojë me lista të përbashkëta për këshilltarë komunalë, duke përmendur, ndër të tjera, efektin negativ të sistemit zgjedhor D’Hondt për partitë e vogla nëse garojnë të ndara, vështirësinë teknike të fushatës, si dhe mundësinë që votat neutrale të koalicionit të humbasin.
Sipas tij, ideja që kandidaturat për kryetarë komunash të caktohen në bazë të anketimeve është gjithashtu një tjetër tentativë për të relativizuar barazinë dhe frymën kolektive të VLEN-it.
“VLEN-i është koalicion i barazisë politike, jo i pazarit sipas anketave. Fryma që ka sjellë këtë bashkim nuk përkthehet në numra,” thotë Qoku, duke sjellë si shembull rastin e Listës Guxo në Kosovë, e cila ndonëse ka pak përqindje në anketa, ka përfaqësim të denjë në listën e deputetëve të LVV-së.
Në fund, deputeti i VLEN-it paralajmëron se nëse ASH vazhdon të insistojë në ndarje, partitë tjera të koalicionit janë të gatshme të dalin së bashku në zgjedhje – si me kandidatë, ashtu edhe me lista të përbashkëta – gjë që do të krijonte përshtypjen se VLEN është ndarë.
“Fitorja jonë ka ardhur sepse kemi qenë bashkë. Uniteti ka çmim. Ky është momenti i betejës finale me BDI-në, dhe nuk ka kohë për eksperimente të rrezikshme,” përfundon Qoku.