Liverpooli arriti një fitore të rëndësishme ndaj Real Madridit në një ndeshje që përfundoi me rezultatin 2:0. “Të kuqtë” u treguan dominues në shumicën e minutave të takimit, duke krijuar raste të shumta dhe duke e kontrolluar lojën me një intensitet të lartë. Goli i parë erdhi nga mesfushori argjentinas, Mac Allister, ndërsa Gakpo vulosi fitoren me një finalizim të shkëlqyer në pjesën e dytë, informon POPULLI.mk
Për Real Madridin, kjo humbje është një tjetër goditje në një periudhë me rezultate zhgënjyese. Ecuria e keqe e madrilenëve ka ngritur pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e trajnerit Carlo Ancelotti, i cili ndodhet nën presion të shtuar.
Shfaqjet e dobëta në fushë dhe mungesa e qartësisë në sulm po e thellojnë krizën e ekipit, duke lënë tifozët dhe drejtuesit e klubit të shqetësuar për vazhdimësinë e sezonit.
Në anën tjetër, Liverpooli vazhdon të shkëlqejë me një formë të qëndrueshme dhe rezultate pozitive. Kjo fitore ndaj një rivali të madh si Real Madridi i jep ekipit të Arne Slot një impuls shtesë në garat e ardhshme. Skuadra angleze po dëshmon kohezion dhe stabilitet, duke treguar se janë një forcë për t’u llogaritur në të gjitha frontet këtë sezon. / © POPULLI.mk