Zhurnal nga burime të sigurta mëson se, LSDM+BDI+ASH, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të garojnë bashkë si koalicion për të siguruar shumicën parlamentare për qeverisje edhe të një mandati tjetër 4 vjeçar. Kjo mbase është e pritshme pasi Aleanca për Shqiptarët pas hyrjes në Qeveri u akuzua se gaboi pasi është bashkangjitur në kohë të gabuar sepse më pak se një vit i ka mbet jetë kësaj qeverie. Por, informacionet e sigurta të Agjencisë së Lajmeve Zhurnal flasin që ASH e ka bërë këtë veprim duke qenë në koordinim me BDI-në dhe LSDM-në që pushteti i tyre të vazhdohet edhe për një mandat tjetër. E kjo krejt me anë të bashkëpunimit të këtyre tre partive në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen vitin që vjen. Ky bashkëpunim është i frytshëm dhe i patjetërsueshëm për tre partitë në fjalë, për LSDM-në pasi shpëtim të vetëm pas çdo dobësimi ka partitë shqiptare, për BDI-në që të kurojë plagët që do t’i shkaktojë grupi i zjarrit, dhe për ASH-në që të vazhdojë në pushtet sepse në opozitë ka humbur besimin te qytetarët pas futjes së tanishme në këtë përbërje qeveritare, shkruan Zhurnal.
ASH veproi në mënyrë taktike, pushtetin e ka të premtuar edhe për një mandat tjetër.
Negociatat e Aleancës për Shqiptarët me LSDM-në për hyrje në Qeveri kanë filluar nga fundi i muajit tetor të vitit që lamë pas, pra më shumë se katër muaj kanë zgjatur deri në dakordimin final. E zgjatja e periudhës së negociatave tani më bëhet e ditur nga Agjencia e Lajmeve Zhurnal sepse kërkesat e ASH-së kishin qenë të kësaj natyre që të bëhen pjesë e pushtetit por jo vetëm për këtë periudhë të shkurt kohore për më pak se një vit. Nga ASH kanë kërkuar që të jenë pjesë e përbërjes qeveritare por me kusht që të jenë edhe në mandatin tjetër, e kjo krejt bëhet e mundur nëse garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Nga LSDM dhe BDI i është garantuar që pasi të përfundon ky mandat 4 vjeçar, vitin e ardhshëm, në zgjedhjet që vijnë do të marrin edhe ASH-në në koalicion që së bashku të formojnë edhe Qeverinë e ardhshme.
Propozimi i dytë që i është ofruar ASH-së është një koalicion parazgjedhor LSDM+BDI+ASH, me lista të përbashkëta-
Aleanca për Shqiptarët është e vetëdijshme që pas veprimit të fundit për hyrje në Qeveri ka humbur trupin e saj votues që ishin kryesisht kundër kësaj përbërje qeveritare, ato votues që kanë qenë opozitarë të vërtetë kanë ndryshuar mendimin për ASH-në dhe me shumë gjasë do ta ndëshkojnë këtë parti në zgjedhjet që vijnë.
Prandaj, edhe përkundër faktit që në BDI ka përçarje të brendshme dhe kjo parti po ndahet në dysh, shumë e vështirë do të ishte që ASH nga kampi opozitarë ta dërgon BDI-në në opozitë, mbase për këtë gjë kishin provuar shumë herë por kanë dështuar. Dhe, tani alternativë e vetme ASH-së i mbetet që të garojë bashkë me BDI-në edhe pse ndër vite kishin krijuar barriera dhe ishin oponent të fuqishëm, tani për hir të pushtetit janë bërë bashkëpunëtorë të pashembullt që po pritet të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme.
Ajo që do ta shtyjë ASH ta rritë dozën e bashkëpunimit edhe më shumë me partitë që janë në pushtet është fakti se nga kjo parti rrezikojnë të humbin numrin e deputetëve që kanë aktualisht. Kjo për shumë arsye, mes tjerash ekziston fakti që ka përçarje edhe përbrenda kësaj parti krahu i Selës dhe i Taravarit, pra edhe përkundër faktit që proklamojnë se janë të unifikuar sërish dihet se ekziston një grup përbrenda kësaj partie që nuk ishin të kënaqur me Selën prandaj edhe kërkuan dhe e realizuan largimin e tij nga pozita e kryetarit të partisë.
LSDM është e vetëdijshme që fiton dhe mbetet në pushtet vetëm me partitë shqiptare, e vetme nuk mundet-
Formula të cilën e kishte zbuluar, Zoran Zaev, që vetëm me bashkëpunim me shqiptarët mund ta largojë VMRO-në nga pushteti, rezultoi formulë e suksesshme dhe me rezultat produktiv për këtë parti duke i siguruar pushtet me vite të tëra. Se është kjo formulë ideale vërtetohet edhe nga lakmia e VMRO-së të cilët dikur ishin parti nacionaliste dhe anti-shqiptare ndërkaq tani po duan dhe po kërkojnë bashkëpunim me shqiptarët.
LSDM e filloi duke marrë disa shqiptarë në parti që të futet në çdo lagje të banuar me shqiptarë e në çdo shtëpi të jenë të mirëpritur. Dhe, ndodhi kështu saktësisht shqiptarët i besuan LSDM-së, duke derdhur një numër tejet të madh votash në llogarinë e kësaj e partie.
Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut ishte trishtues dhe alaramues që gjendja në terren ka marrë kahje tjetër, VMRO drejtë fuqizimit dhe LSDM drejt dobësimit, duke humbur një numër të madh të komunave. VMRO kishte fituar 39 komuna, LSDM vetëm 18 komuna. Kjo e detyron LSDM-në që të vazhdojë bashkëpunimin me partitë shqiptare për ta nxjerr vetën nga kjo humnerë që ka ra, dhe që shpëtimin e vetëm e sheh te partitë shqiptare duke përdorur formulën e ish kryetarit të partisë, Zoran Zaev.
BDI është fituesja më e madhe e një koalicioni të tillë parazgjedhor LSDM-BDI-ASH-
Bashkimi Demokratik për Integrim partia më e madhe shqiptare është duke u përballur me krizën brendapartiake, grupi i zjarrit në mënyrë intensive po lëshon nxehtësi dhe po krijon pasiguri në ruajtjen e unitetit partiak. Pra, dikur BDI ishte shembull unifikimi tani është shndërruar në shembull të përçarjes kur po rrezikon që nga kjo parti të shkëputen një numër i madh anëtarësh, që janë edhe bashkëthemelues të partisë, tashmë në opinion të njohur si grupi i zjarrit.
BDI është mësuar të bëjë thirrje për bashkim dhe unifikim prandaj edhe vështirë po e menaxhon këtë situatë të re të krijuar përbrenda partisë, dhe kjo po reflekton që nga kjo parti kanë frikë të garojnë në zgjedhjet e ardhshme të vetëm dhe e dyta dobëson ASH-në në mënyrë të pakthyeshme, partinë që dikur ishte bosht i opozitarizmit shqiptarë.
Prandaj, Ali Ahmeti si lider i BDI-së ka dëshmuar ndër vite që edhe kur dobësohet vepron në mënyrë taktike për të shpëtuar partinë e tij dhe për të siguruar vazhdimin e pushtetit. Pra, BDI ka tejkaluar edhe kriza të tjera duke vepruar në mënyrë të paparashikueshme e pamenduar më parë, prandaj edhe kjo që të bëjë koalicion parazgjedhor me ASH-në më herët ka qenë e paimagjinueshme dhe e pamenduar, por kjo në realitet do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme.
Ngjarje interesante pritet të ndodhin nga kjo situatë e re politike e krijuar në vend, Agjencia e Lajmeve Zhurnal vazhdon të ju informoj me lajme dhe ekskluzivitete, ajo që shpresojmë të ndodhë pavarësisht matematikeve me numra dhe kush me kë bashkëpunon është të ketë faktorizim të shqiptarëve, funksionim të shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, dhe barazi për të gjithë.
