7.8 C
Skopje
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026

LSDM kundër heqjes së Qeverisë Teknike

LSDM mbetet në qëndrim se Qeveria Teknike është e nevojshme si barrierë e fundit institucionale për zgjedhje demokratike dhe mbrojtje nga abuzimi i institucioneve shtetërore, sepse, siç tha Filipçe, ajo nuk është vetëm një trup teknik, por një veto institucional kundër vendosjes së një regjimi autoritar.

Sipas Filipçes, Qeveria Teknike mund të hiqet vetëm kur shoqëria jonë të jetë e pjekur, gjë që sipas tij, në këtë moment nuk jemi.

“Nuk do të ketë takim për Qeverinë Teknike dhe ajo duhet të mbetet. Sepse ajo është linja e fundit mbrojtëse kundër kapjes dhe abuzimit të plotë të asaj që është më e rëndësishme – vullneti i lirë i qytetarëve në procesin zgjedhor. Është e qartë që Mickoski është në presion, i nxituar, kërkon alibi për shpalljen e zgjedhjeve, nuk i duhet dialog, por mbulim”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, reaguan me shkrim duke theksuar se Venko Filipçe nuk refuzon vetëm takim liderësh, por refuzon dialog dhe dorë të shtrirë për ndërtimin e konsensusit politik për interesat e shtetit.

“Edhe pse LSDM dhe Filipçe nuk e nxjerrin nga goja integrimin evropian të Maqedonisë, sot njëherë tjetër treguan se nuk i intereson, se është vetëm propagandë për politikë të pastër. Sepse tema e takimit të liderëve, ku Filipçe refuzon të marrë pjesë, do të jetë diskutimi i ligjeve reformuese që janë pjesë e axhendës reformuese për BE-në, e cila ka për qëllim përmirësimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit të shtetit”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se ata mund ta miratojnë vetë në Parlament heqjen e Qeverisë Teknike, por megjithatë duan që procesi të jetë gjithëpërfshirës, domethënë të ketë dialog me të gjitha partitë parlamentare.

Pasi kryeministri Mickoski njoftoi se do të dërgojë ftesa për takim liderësh, u prononcua koalicioni VLEN, i cili potencoi se e mbështet idenë. Nga BDI për TV21 deklaruan shkurt se ende nuk kanë marrë ftesë, por vetëm kanë dëgjuar nga mediat për një iniciativë të tillë, duke shtuar se kur ta marrin ftesën do ta shprehin qëndrimin e tyre. Plani i Mickoskit është që takimi eventual i liderëve të mbahet javën e ardhshme, para udhëtimit të tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Të ngjajshme

Të fundit