21.8 C
Skopje
E premte, 13 Nëntor, 2026

Maqedonasit bashkohen kundër shqipes në Butel, VLEN dhe AKI përgjigjen me bojkot të seancës

Këshilltarët shqiptarë nga AKI dhe VLEN në Komunën e Butelit kanë braktisur sot seancën e Këshillit Komunal, në shenjë proteste ndaj mosmiratimit të propozimit që tabela informuese e Mega Parkut të përmbajë edhe mbishkrimin në gjuhën shqipe, informon POPULLI.mk

Nisma u paraqit nga këshilltarët e AKI-së dhe mori mbështetjen e përfaqësuesve të VLEN-it. Në votim, tetë këshilltarët shqiptarë votuan në favor të propozimit, ndërsa 11 këshilltarët e tjerë abstenuan. Si pasojë, propozimi nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme.

Pas rezultatit të votimit, këshilltarët e AKI-së u larguan nga seanca, ndërsa në shenjë solidariteti me ta, të njëjtin veprim e ndërmorën edhe këshilltarët e VLEN-it.

Çështja shkaktoi debat dhe tensione gjatë mbledhjes, ndërsa reagimet lidhur me këtë rast u pasqyruan edhe në rrjetet sociale.

Këshilltarja e AKI-së në Butel, Senka Nuhiu-Qafleshi, theksoi se kërkesa e përfaqësuesve shqiptarë është e qartë dhe lidhet me respektimin e statusit zyrtar të gjuhës shqipe në këtë komunë.

“Qëndrimi i këshilltarëve shqiptarë në Komunën e Butelit mbetet i qartë: gjuha shqipe të respektohet dhe të përdoret zyrtarisht në Komunën e Butelit, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, deklaroi Nuhiu-Qafleshi.

Debati për përdorimin e gjuhës shqipe u rikthye pas vërejtjeve për mungesën e saj në tabelën informuese të Mega Parkut të ri në Butel, hapësirë e promovuar nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit.

Ndërkohë, institucionet përkatëse nuk kanë dhënë sqarime konkrete lidhur me arsyet e mungesës së mbishkrimit në shqip. Nga Ndërmarrja Publike “Parqe dhe Gjelbërime” më herët kishin deklaruar se vendosja e tabelave nuk është në kompetencën e tyre.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë rezidente.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve parasheh që në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj të jenë në përdorim zyrtar krahas gjuhës maqedonase.

Rasti në Butel rikthen në vëmendje çështjen e zbatimit të të drejtave gjuhësore në institucionet publike. Në raste të mëparshme të ngjashme, institucionet janë arsyetuar se mungesa e shqipes ka ardhur si pasojë e lëshimeve teknike, të cilat kanë premtuar se do të korrigjohen.

© POPULLI.mk