15.8 C
Skopje
E hënë, 16 Shtator, 2024

Maqedonia e Veriut, një nuse me fustan të bardhë që po digjet nga dashuria për BE-në, por i mungojnë 7-8 vota për t’u “fejuar”

Më 18 gusht fillon seanca për ndryshimet kushtetutare në Maqedoninë e Veriut, që janë kusht për fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërkaq ndryshimet kushtetuese i kalojnë filtrat e kuvendit vetëm nëse sigurohen 2/3 e votave, numra të pasiguruara deri në këto momente.
Amendamentet, me të cilat bullgarët duhet të hyjnë në preambulën e Kushtetutës, janë kusht për mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të negociatave për anëtarësim në Union, të cilat vendi i filloi korrikun e kaluar.

Për nevojën e miratimit të amendamenteve kushtetuese, si një nga hapat e parë për hapjen e Kushtetutës, duhet një shumicë prej dy të tretash, pra votat e 80 deputetëve, të cilat shumica në pushtet nuk i ka për momentin, shkruan Zhurnal.

Propozimi-iniciativa e Qeverisë për ndryshime në Kushtetutë kaloi filtrin e parë parlamentar më 25 korrik. Komisioni për Çështje Kushtetuese më pas votoi me 10 vota “pro” dhe shtatë “kundër” propozimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës. Edhe pse ishte paraparë që diskutimi në Komision të zgjaste 10 ditë, ai përfundoi për rreth dy orë, pasi anëtarët e komisionit nga VMRO-DPMNE dhe Levica u tërhoqën nga diskutimi i mëtutjeshëm.

Me propozim-iniciativën e miratuar nga Qeveria dhe dorëzuar në Kuvend, propozohet që në Preambulën e Kushtetutës të shtohet edhe bullgaret dhe pesë popuj të tjerë – kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.
Krahas kësaj, është planifikuar edhe një amendament kushtetues për përbërjen e Komisionit për Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, me të cilin do të ndryshohet numri i anëtarëve dhe në vend të 19 anëtarëve aktualë, numri do të rritet në 43 anëtarë, me 16 anëtarë nga radhët e deputetëve në Kuvend – maqedonas dhe shqiptarë dhe nga një deputet nga radhët e deputetëve turq, vlleh, rom, serb, boshnjak, bullgar, kroat, malazez, slloven, hebre dhe egjiptian.

Deri sa nuk ka lëvizje as para as mbrapa lidhur me ndryshimet kushtetuese, një tetim ër lëvizje të gjërave sot ka bërë fronti i bashkuar opozitar shqiptar, shkruan Zhurnal. Bilall Kasami, Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi në konferencë të përbashkët për shtyp, kanë kërkuar që sa më parë të hidhet në votim faza e parë e ndryshimeve kushtetuese, kurse kërkuan që gjithashtu të vendoset në votim amendamenti për definimin e gjuhës shqipe, si dhe amendamenti për (mos) vjetërsimin e lëndëve penale. Kasami, Mexheti dhe Gashi thanë se nëse nuk sigurohen votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, atëherë duhet të shpallen zgjedhje të reja.

“Duam të përcjellim një mesazh të rëndësishëm në prag të ndryshimeve kushtetuese. Për ne nuk ka dyshim se anëtarësimi në BE është përcaktimi më i lartë strategjik. Derisa flasim për këtë, duam të përcjellim disa mesazhe. Kërkojmë që kryetari i Kuvendit sa më parë ta hedh në votim nevojën për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim që ta kalojmë fazën e parë dhe të kalojmë në pjesën më të rëndësishme të këtij procesi. Gjithashtu të vendos në votim amendamentin për heqjen e definimit ofendues të gjuhës shqipe, si dhe amendamentin për vjetërsimin e lëndëve penale”, tha Gashi i cili e lexoi deklaratën e përbashkët.

Kjo deklaratë si dhe shumë deklarata, manifeste e deklarime tjera, tregon se të gjithë në Maqedoninë e Veriut e duam BE-në, pork jo dashuri nuk po mer ende “flakë” për shkak të mungesës së 5-6, ose 7-8 votave të deputetëve, që të mund ajo të kurorëzohet dhe të fillojmë procedurën për “shkëmbimin e unazave të fejesës”.
Afati joformal mbetet nëntori, por opozita kërkon që mos të pritet deri atëherë, por gjërat të qartësohen më herët, duke testuar disponimin për futjen e bullgarëve në Preambulë, por edhe futjen e gjuhës shqipe në vend të 20 për qindëshit.

“Nëse qeveria nuk e pranon, nuk dëshiron t’i bëjë ndryshimet – shumë e thjeshtë. Nuk është problemi ynë. Nëse Qeveria nuk e bën, i bjen se ata nuk duan. Nëse Qeveria nuk dëshiron të bëjë këtë ndryshim, i bie se ata duan të rrinë në Qeveri dhe jo të integrohen në BE. Nëse nuk ka shumicë që të votohet faza e parë e ndryshimeve kushtetuese, të shpërndahet Kuvendi dhe të shpallen zgjedhje. Të vijë përbërje e re parlamentare e cila do të sigurojë ardhmërinë evropiane të vendit”, tha Gashi, duke shtuar se zgjidhja që e ofron opozita nëse dëshmohet se nuk janë votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, është që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

Sipas procedurës, Kuvendi fillimisht voton rendin e ditës me pikën e vetme për ndryshimet kushtetuese për çka nevojiten 61 vota, me mundësi për debat prej 10 ditë pune. Kjo do të thotë se kemi në disponim 10 ditë pune (dy javë të plota me ditët e uikendit), që bashkësia ndërkombëtare të bëjë lëvizje intensive, të nevojshme për të arritur te numri 80. Analistët vlerësojnë se kjo do të jetë e vështirë, por jo edhe mision i pamundur, shkruan Zhurnal.

Për profesorin universitar Bashkim Selmani, për nga aspekti formal, kjo çështje s’ka pengesa, por rëndohet nga vullneti politik i partive politike, me theks të veçantë, nga opozita maqedonase.
Megjithatë Selmani shpreson që procedura t’i gjejë deputetët me disponim politik. Për taborin politk shqiptar edhe përkundër ndasive të fundit, Selamani thotë se do të jenë konstruktiv në këtë çështe me interes madhor shtetëror.

“Për nga gjendja faktike nuk është proces i komplikuar, mirëpo nga natyra politike dhe përvoja e hidhur e të gjitha proceseve aktuale dhe kokëfortësia e VMRO-së që në kontinuitet ka penguar çdo gjë që ka qenë element shtetëror dhe prioritet për lansimin e Maqedonisë të ashtuquajtur demokratike. Nëse do të ketë element njerëzor, poashtu dhe juridik shpresoj se një procedurë e tillë nuk do të duhet të ketë komplikime apo vështirësi.” – tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
E këtë e konfirmon në një farë mënyre edhe vetë shefi i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Sipas tij, seanca që fillon më 18 gusht jo që do të sjellë ndryshime kushtetuese, por do të jetë një rast i mirë për të bindur mbarë opinionin në Maqedoninë e Veriut se qeveria për një vit të tërë gënjen, manipulon dhe përhap mjegull për ndryshimet kushtetuese dhe se ato nuk janë as afër amendamenteve kushtetuese.
Ai madje shton se si parti mbeten në qëndrimin e vazhdueshëm se ndryshimet e Kushtetutës” në këtë format dhe nën diktatin bullgar” nuk janë të mundshme.

“Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “Për rindërtimin e Maqedonisë” vazhdojnë të qëndrojnë në qëndrimin se ndryshimet në Kushtetutë në këtë format dhe nën diktatin bullgar nuk janë të mundshme dhe ne nuk do t’i mbështesim. Në fakt, qëndrimin tonë e kemi shprehur edhe në Komisionin e Ndryshimeve Kushtetuese, ku kemi argumentuar se qeveria po shtyn një proces që nuk mbështetet nga qytetarët. Të njëjtën gjë do ta përsërisim edhe në seancë plenare”.

Në këtë mënyrë vazhdon fati i çuditshëm i Maqedonisë së Veriut në rport me Bashkimin Evropian. Deri sa 70 për qind e tepër e zemrës së saj “digjet” nga dashuria për BE-në (aq është përkrahja e qytetarëve që përkrahin anëtarësimin e vendit në BE), pengesë për zyrtarizimin e kësaj dashurie mbeten 5-6 ose 7-8 deputetëve, varësisht se si luajnë shifrat nga dita në ditë. Kurse tradita në këto anë njeh edhe raste kur nusja nuk është marë me dasëm, por është marë edhe me të “grabitme”, kur për shkaqe subjektive vajza nuk ka mundur të mrtohet me të dashurin e zemrës! /Zhurnal

Të ngjajshme

Të fundit