Pasi filloi kriza me rritjen e çmimeve, vazhdimisht ka ankesa nga konsumatorët të cilët po ankohen se ka manipulime nga ana e tregtarëve duke vendosur një çmim në raftet që është më i ulët ndërsa në arkë çmimi është më i lartë. Konsumatorët shumë shpesh nuk e vërejnë këtë dhe kur të kthehen në shtëpi dhe kur ta shohin faturën fiskale vërejnë se kanë paguar çmim më të lartë se çmimi që e panë në raftet
Llausha ZENUNI
Shkup, 6 tetor – “Një lëpirëse për fëmijë në raft e mora për 88 denarë kurse në arkë e pagova 95 denarë!” Ky është vetëm një nga denoncimet që bëhen nga qytetarët për mashtrime nëpër shitore dhe rasti konkret ka të bëjë me blerjen e një produkti në një prej shitoreve në qendër të Kumanovës. Qytetarja e cila ka kërkuar të mbetet anonime, pasi kishte paguar produktin e lartpërmendur dhe një pako Nescaffe 3+1 për të cilën ekzistonte ofertë prej 99 denarësh, ndërsa në kupon fiskal shkruhej 112 denarë ishte ankuar tek shefja e ndërrimit e supermarketit e cila me arsyetimin se kanë harruar të ndërrojnë çmimet nëpër rafte, kishte pranuar t’i kthente paratë dhe tha se ky gabim ishte i paqëllimshëm. Për këtë rast është kontaktuar drejtoresha e Inspektoriatit të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska e cila ka refuzuar të prononcohet në telefon.
Pre e mashtrimeve me çmime javë më parë ishte edhe një qytetar nga Shkupi i cili rastin e kishte lajmëruar menjëherë në Inspektoriatin Shtetëror të Tregut por ata nuk kishin arritur të dënojnë rastin në kohë sepse punëtorët e supermarketit i kishin ndërruar çmimet. “Menjëherë pas denoncimit që morën përmes një thirrjeje telefonike, Inspektorati Shtetëror i Tregut doli në teren, por tregtari, pas reagimit të konsumatorit, tashmë e kishte ndërruar çmimin dhe nuk gjetëm çmim të ndryshëm nga ai në arkë”, kanë thënë atëkohë nga Inspektorati i Tregut.
Nga Organizata për Mbrojtjen e Konsumatorëve, thonë se shumica e denoncimeve kanë të bëjnë me çmime të ndryshme në rafte dhe në arkë. “Pasi filloi kriza me rritjen e çmimeve, vazhdimisht ka ankesa nga konsumatorët të cilët po ankohen se ka manipulime dhe praktikë të padrejtë tregtare nga ana e tregtarëve duke vendosur një çmim në raftet që është më i ulët ndërsa në arkë çmimi është më i lartë. Konsumatorët shumë shpesh nuk e vërejnë këtë dhe kur të kthehen në shtëpi dhe kur ta shohin faturën fiskale vërejnë se kanë paguar çmim më të lartë se çmimi që e panë në raftet”, pohoi Martina Gërnçarovska, këshilltare juridike.
Mirëpo, si e zgjidhin ata problemin? I këshillojnë që të merren vesh me tregtarët, në të kundërtën të denoncojnë në inspektoratin e tregut. Prej atje konfirmojnë se ka denoncime të këtilla se çmimet në raftet nuk janë të njëjta me çmimet në arkë. Por, çfarë të ndërmerret? Dimoska gjithashtu thotë që nëse konstatohet se tregtari nuk e respekton obligimin ligjor, përkatësisht se çmimi në raftet nuk është i njëjtë me çmimin në arkë, do të ketë masa ndëshkuese.
Kjo është në pjesën e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, për sjellje mashtruese të tregtarit ndërsa gjobat janë shumë të larta dhe lëvizin prej 4000 eurove për person juridik dhe 500 eurove në kundërvlerë denarësh për personin përgjegjës. Ajo gjithashtu thotë se konsumatorët duhet të bashkëpunojnë me Inspektoratin e tregut dhe të gjitha parregullsitë dhe manipulimet t’i denoncojnë për shkak se inspektorati nuk mund ta kontrollojë çdo produkt në çdo kohë. (koha.mk)