Raporte të reja ndërkombëtare hedhin dritë mbi përmasat e dhunës gjatë protestave masive në Iran, ku dyshohet se regjimi ka vrarë mbi 16.500 protestues.
Familje të shumta vijojnë kërkimet e dhimbshme për të afërmit e zhdukur, ndërsa situata humanitare përshkruhet si dramatike, shkruan The Sun.
Sipas burimeve të ndryshme, deri në 360 mijë persona kanë mbetur të plagosur, përfshirë fëmijë dhe gra shtatzëna. Shumica e viktimave raportohet se janë nën moshën 30 vjeç. Mjekë nga disa spitale kanë deklaruar se shumë të plagosur kanë ndërruar jetë për shkak të humbjes së gjakut, pasi forcat e sigurisë kanë penguar dhurimin e gjakut dhe transfuzionet.
Një zyrtar iranian ka pranuar se të paktën 5.000 persona janë vrarë, përfshirë 500 anëtarë të forcave të sigurisë, duke fajësuar për dhunën “terroristë dhe rebelë të armatosur”. Megjithatë, organizata dhe burime të pavarura flasin për shifra shumë më të larta.
Raportohet gjithashtu se mes 700 dhe 1.000 persona kanë humbur shikimin e njërit sy për shkak të plagëve nga armët, ndërsa një spital në Teheran ka regjistruar rreth 7.000 dëmtime në sy.
Në të njëjtën kohë, frika po rritet se autoritetet iraniane po planifikojnë zgjatjen e ndërprerjes së internetit në mënyrë të pacaktuar, duke e futur vendin në një “izolim digjital” të përhershëm. Sipas projekteve monitoruese, Irani synon të kalojë nga censura masive drejt një intraneti të mbyllur, ku vetëm persona me autorizim sigurie do të kenë akses në botën e jashtme.
Protestat, të cilat shpërthyen më 28 dhjetor, janë përhapur në të 31 provincat e Iranit dhe përbëjnë reagimin më brutal të regjimit ndaj demonstratave gjatë 47 viteve të sundimit të tij. Mes viktimave është edhe studentja 23-vjeçare Rubina Aminian, e cila u qëllua për vdekje gjatë një proteste në Teheran, ndërsa familja e saj u detyrua ta identifikonte mes qindra trupave.
Situata në Iran mbetet e tensionuar, mes akuzave për masakër, censurë totale dhe përshkallëzim të represionit shtetëror.
© SYRI.net
