Të paktën 330 persona janë vrarë në Gaza nga sulmet e ushtrisë izraelite, që u kryen në natën e së martës, ka raportuar BBC-ja.
Ushtria e Izraelit ka thënë se po kryen sulme në shkallë të gjerë pasi në bisedimet për zgjatje të armëpushimit nuk u arrit marrëveshje. Kjo shënon valën më të madhe të sulmeve ajrore që nga 19 janari, kur hyri në fuqi armëpushimi.
Gjatë natës së kaluar zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit(IDF) janë udhëzuar që të marrin veprime kundër Hamasit, pasi ka “refuzuar t’i lirojë pengjet” izraelite dhe ka refuzuar propozime e marra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ndërmjetësuesit e tjerë.
Ushtria izraelite po ashtu ka lëshuar urdhrin për kryerje të operacioneve tokësore.
Pas kësaj ka reaguar Hamasi, që sulmet i ka përshkruar si “tradhti” dhe ka thënë se qeveria izraelite ka vendosur ta prishë armëpushimin, “duke ekspozuar pengjet në Gaza ndaj një fati të panjohur”.
Herët në mëngjes është raportuar se zyrtari më i lart i sigurisë së Hamasit, Mahmoud Abu Wafah, është vrarë.
Autoritetet izraelite kanë njoftuar se i kanë arrestuar 17 palestinezë gjatë një aksioni në Bregun Perëndimor.