Mbrëmë në Likovë, BDI nisi takimet me qytetarët, por këtë herë pa pjesëmarrjen e liderëve të tjerë të Frontit Europian, shkruan POPULLI.mk
Ky aktivitet, i organizuar në komunën e Likovës, synonte demonstrimin dhe mbështetjen popullore për rigjallërimin e dialogut me qytetarët pas rënies së BDI-së në opozitë. Megjithatë, në Mateç, ku u mbajt mbledhja, prania e qytetarëve dhe simpatizantëve nuk përmbushi pritjet, duke ngjallur pyetje mbi ndikimin e partisë te votuesit dhe të ardhmen e saj.
Gjatë mbledhjes u vërejtën disa nga figurat e njohura dhe të vjetra të BDI-së, si Musa Xhaferi, Sadulla Duraki, Artan Grubi, Blerim Bexheti, Kreshnik Bekteshi dhe Bujar Osmani.
Pavarësisht përpjekjeve të tyre për të forcuar moralin, numri jo i madh i pjesëmarrësve dhe mungesa e një shpërndarjeje më të madhe mediatike krahasuar me aktivitetet e kaluara, krijon shqetësime mbi aftësinë e BDI-së për të ruajtur mbështetjen që ka pasur ndër vite.
Duket se rënia në opozitë ka ndikuar në perceptimin e qytetarëve, duke shkaktuar një luhatje të besimit ndaj partisë së Ali Ahmetit.
Një tjetër çështje e ngritur është fakti nëse ky veprim i BDI-së për të vepruar e pavarur nga Fronti Europian është tregues i një përçarjeje të mundshme brenda këtij koalicioni. Motoja e re e BDI-së, “Me popullin për Europë”, mund të sinjalizojë një largim nga bashkëpunimi brenda Frontit Europian dhe një qasje të re e cila thekson lidhjen direkte me qytetarët.
Nëse ky strategji do të jetë e suksesshme për të rivendosur besimin e qytetarëve, mbetet të shihet në vazhdim. / © POPULLI.mk
