17.8 C
Skopje
E diel, 8 Shtator, 2024

Merko i pari, por jo edhe i fundit

Ambasadorja amerikane në vend, Angela P. Aggeler thotë se përveç Ramiz Merkos, në “listën e zezë” të SHBA-së do të ketë edhe emra të tjerë. Aggeler tha se procesi i shpalljes të një personi “non grata” bëhet me kujdes dhe bazohet në fakte

Zenel MIFTARI

Shkup, 21 qershor –  Departamenti i Shtetit Amerikan ka njoftuar se kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko nga radhët e BDI-së, është futur në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit dhe ndërhyrjeve në proceset gjyqësore.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë futur në “listën e zezë” të personave të cilëve u ndalohet hyrja në SHBA, kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko. Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit thuhet se arsyeja për këtë ishte përfshirja e tij në korrupsion të madh.

“Gjatë kohës që shërbente si kryetar i Komunës së Strugës, Merko përvetësoi fondet dhe ndërhyri në procese gjyqësore dhe të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut në institucionet demokratike dhe zyrtarët e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit. Sanksioni vlen edhe për gruan e Merkos, Shpresa, dhe tre fëmijët e tij të rritur, Gencin, Nazmije dhe Drenushën. Familja e ngushtë e Merkos konsiderohet “e papërshtatshme” për hyrje në SHBA.

Koordinator për antikorrupsion në DASH, Richard Nephew në një intervistë për Zërin e Amerikës tha se Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ka informacione të besueshme që tregojnë se kreu i Strugës, Ramiz Merko është i përfshirë në korrupsion madhor. Nephew tha se për këtë edhe është marrë vendimi që i njëjti të shpallet “persona non grata”. “Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se zoti Merko ishte përfshirë në korrupsion madhor. Dhe kështu sipas ligjeve, kur Sekretari arrin në këtë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi”, tha Richard Nephew, koordinator për antikorrupsion në DASH.

Për VOA, ai tha se informacioni që u publikua si pjesë e njoftimit për shtyp tregon se bëhet fjalë për përvetësim fondesh dhe ndërhyrje në proceset gjyqësore. “Dhe ju e dini, duke pasur parasysh natyrën e përcaktimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund të bëjmë publik mbi këtë rast”, u shpreh Nephew. Nga DASH shpresojnë që ky vendim do të ndihmojë Qeverinë e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin.

Ambasadorja amerikane në vend, Angela P. Aggeler thotë se përveç Ramiz Merkos, në “listën e zezë” të SHBA-së do të ketë edhe emra të tjerë. Aggeler tha se procesi i shpalljes të një personi “non grata” bëhet me kujdes dhe bazohet në fakte. “Vetëm të shtoj se këto emërtime marrin kohë, ndiqen nga afër nga një proces ligjor i rishikimit, do të thotë nuk merren lehtë, nuk merren shpejtë dhe në një moment të caktuar shqyrtohen një numër i emrave, pasi zyra jonë ligjore në SHBA dhe zyrat tjera rishikojnë faktet”, deklaroi Aggeler.

E pyetur se kur pritet të shpallen emrat e tjerë, Aggeler tha se për shkak të ndjeshmërisë së procesit nuk mund të flet për kohë të caktuar. “Nuk mund të flas për kohë, për kumtesa në të ardhmen, besoj se do të ketë tjerë, kur do të ketë, nuk mund të them, sepse ky proces është i kujdesshëm, por vetëm të theksojmë se ne SHBA-të e marrim këtë shumë seriozisht”, deklaroi Aggeler.

Nga ana tjetër, partitë politike si Aleanca për Shqiptarët (ASH) dhe Lëvizja Besa, kanë komentuar futjen e Merkos në listën e zezë, duke thënë se e mirëpresin një veprim të tillë nga DASH dhe presin që përfshirja e zyrtarëve të korruptuar në listën e zezë të vazhdoj edhe më tej. Nga ASH, kanë thënë se ata mirëpresin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit nga SHBA-të.  “Ky përcaktim është një sinjal që ka potencialin për të rikthyer shpresën në Maqedoninë e Veriut. Nga sot, SHBA dëshmuan se askush nuk është i paprekshëm. Përgëzojmë ambasadoren Ageler për konsistencën e saj dhe paralajmërimin se do të ketë përcaktime tjera gjatë këtij viti. Korrupsioni duhet të ketë pasoja, por shpalljet non grata nuk mjaftojnë. Ramiz Merko duhet të japë dorëheqje të menjëhershme, ndërsa BDI duhet të distancohet nga anëtari i saj i kryesisë”, thonë nga ASH. Nga atje kanë shtuar që Prokuroria për ndjekje të korrupsionit duhet të hapë lëndë ndaj Merkos për të garantuar llogaridhënie të plotë në lidhje me akuzat e Departamentit amerikan të shtetit dhe për të ndarë drejtësinë.

Derisa nga n Lëvizja BESA, janë shprehur se ata tashmë një kohë të gjatë kanë thënë se kjo Qeveri nuk është asgjë më shumë përveç se një Qeveri e krimit dhe korrupsionit u vërtetua edhe nga partneri jonë strategjik. “Vënia në listë të zezë e kreut të Strugës Ramiz Merko, është shembulli tipik i funksionarit të BDI-së, të udhëhequr nga Artani dhe Aliu. Besojmë fuqishëm se ky është vetëm fillimi i demaskimit të korrupsionit dhe funksionarëve të inkriminuar të BDI-së. Presim që kjo listë ditëve në vijim të plotësohet me funksionarët që kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin fondet vendore dhe të huaja në emër të ‘investimeve’ për qytetarët”, thanë nga Lëvizja BESA.

Të ngjajshme

Të fundit